Skip to Content

Programet Master – të rishikuara nën mbikëqyrje akademike nga Universiteti BOKU i Vjenës (Strategjia UBT 2030)

Energjitë e Rinovueshme

Ky program masteri përgatit specialistë për analizimin dhe menaxhimin e sistemeve energjetike të qëndrueshme, me fokus te teknologjitë e energjisë së pastër dhe përdorimi i burimeve të rinovueshme. Ai ndërthur njohuri nga inxhinieria, shkencat natyrore, bujqësia dhe mjedisi për t’iu përgjigjur sfidave të tranzicionit energjetik. Studentët zhvillojnë aftësi për vlerësimin e burimeve, zbatimin e teknologjive efikase dhe menaxhimin e projekteve energjetike. Qëllimi është formimi i profesionistëve që kontribuojnë në përdorimin racional të energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.


Digjitalizim dhe Automatizim në Bujqësi

Ky master përgatit specialistë që lidhin njohuritë bujqësore me teknologjitë digjitale, automatizimin dhe analizën e të dhënave për vendimmarrje më efikase. Ai u përgjigjet zhvillimeve të Bujqësisë 4.0/5.0, ku përdorimi i sensorëve, IoT, dronëve, GIS dhe inteligjencës artificiale po bëhet thelbësor në prodhim dhe menaxhim. Programi synon modernizimin e arsimit në përputhje me nevojat e tregut dhe politikat europiane për inovacion dhe digjitalizim në bujqësi. Ai adreson mungesën e ekspertëve që kombinojnë bujqësinë me teknologjinë dhe sistemet inteligjente.

Planifikim dhe Arkitekturë Peizazhi

Programi thellon dhe integron njohuritë e fituara në nivelin Bachelor në analizën, planifikimin, projektimin dhe menaxhimin e peizazhit. Ai i përgjigjet nevojës për specialistë të avancuar në kushtet e urbanizimit të shpejtë, ndryshimeve territoriale dhe sfidave klimatike. Programi ofron dy drejtime specializimi: Arkitekturë Peizazhi dhe Planifikim Peizazhi, duke përgatitur studentët për role drejtuese dhe kërkim shkencor të aplikuar. Ai është i harmonizuar me reformën UBT–BOKU 2030 dhe standardet europiane në këtë fushë.

Shkenca Zooteknike dhe Akuakulturë

Ky program masteri synon të përmirësojë kompetencat në menaxhimin e fermave të kafshëve dhe sistemeve të akuakulturës. Ai zhvillon aftësitë për të kuptuar sjelljen e kafshëve dhe peshqve në kushte të ndryshme mbarështimi dhe menaxhimi. Programi forcon gjithashtu aftësitë kërkimore në shkencat e kafshëve dhe akuakulturë. Përgatit profesionistë të aftë për praktika moderne dhe të qëndrueshme në këto fusha.

Inxhinieri Mjedisi dhe Menaxhim Uji 

Programi përgatit studentët për të përmbushur kërkesat e tregut të punës në sektorin publik dhe privat, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Ai u ofron njohuri të plota për analizën, vlerësimin dhe menaxhimin e mjedisit, biodiversitetit, ciklit të ujit, ndryshimeve klimatike dhe burimeve natyrore. Studentët zhvillojnë kompetenca praktike në menaxhimin mjedisor, planifikimin hidrologjik dhe hartimin e politikave mjedisore, të mbështetura nga punë laboratorike, ekskursione në terren dhe praktika profesionale. Programi, i harmonizuar me standardet e BE, i pajis të diplomuarit me aftësi për të zbatuar zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e burimeve, kontrollin e ndotjes, trajtimin e ujërave dhe mbetjeve, si dhe përdorimin e teknologjive moderne në projektet mjedisore.

Agronomi

Programi Master në Agronomi synon të përgatisë specialistë me njohuri të thelluara në Agronomi, Hortikulturë dhe Mbrojtje të Bimëve, duke forcuar kuptimin e funksionimit të bimëve në kushte të ndryshme klimatike dhe situata stresi biotik dhe abiotik. Ai zhvillon kompetenca të avancuara kërkimore dhe aftësi analitike për të adresuar sfidat bashkëkohore në prodhimin bimor. Të diplomuarit aftësohen të aplikojnë teknologjitë moderne të kultivimit, të përshtatin praktikat bujqësore me ndryshimet klimatike dhe kushtet lokale mjedisore, si dhe të përmirësojnë sigurinë ushqimore përmes menaxhimit pasvjeljes.

Turizëm i Qëndrueshëm dhe Zhvillim Rural

Programi i Masterit Shkencor në “Menaxhimin e Turizmit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimin Rural” synon të formojë profesionistë me njohuri të avancuara teorike dhe praktike, të aftë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe të zonave rurale.  Programi i masterit u ofron të diplomuarve kompetenca më të thelluara krahasuar me nivelin bachelor, veçanërisht në profilin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit rural.


Ekonomi Agrare dhe Politika Evropiane

Programi i Masterit Shkencor në Ekonomi Agrare dhe Politikat Evropiane ofron një formim të avancuar teorik dhe praktik në ekonominë bujqësore, zhvillimin rural dhe politikat e Bashkimit Evropian. I orientuar drejt sfidave të sektorit agroushqimor dhe procesit të integrimit evropian, programi përgatit specialistë të aftë për analizimin, hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore sipas standardeve të BE-së. Studentët do të fitojnë njohuri dhe kompetenca në analizën ekonomike, politikat publike, ekonometrinë, menaxhimin e projekteve dhe fondeve të BE-së, si dhe në studimin e tregjeve dhe zinxhirëve të vlerës në bujqësi.

Menaxhim Agrobizn​esi

Programi Master i Shkencave në “Menaxhim Agrobiznesi”, me profilet “Menaxhim” dhe “Sipërmarrje & Inovacion”, kombinon njohuritë në ekonomi, menaxhim dhe bujqësi për të përgatitur profesionistë të aftë për tregun modern të agrobiznesit. Programi ndërthur teorinë me praktikën dhe fokusohet në menaxhim, inovacion, qëndrueshmëri dhe zhvillim rural. Të diplomuarit pajisen me aftësi në vendimmarrje strategjike, analizë tregu, menaxhim projektesh dhe zhvillim të ideve sipërmarrëse.

Marketing i Ushqimit dhe Biznesi Digjital

Masteri në “Marketing i Ushqimit dhe Biznes Digjital” është konceptuar për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregut të punës për specialistë në marketingun ushqimor dhe biznesin digjital. Programi u ofron studentëve njohuri të avancuara në marketing, menaxhim biznesi, analiza tregu dhe strategji digjitale, duke i përgatitur për zhvillimin dhe menaxhimin e bizneseve në sektorin agro-ushqimor. Studentët do të fitojnë kompetenca praktike dhe shkencore në përdorimin e teknologjive digjitale, analizën e të dhënave, zhvillimin e markave, strategjitë e eksportit dhe menaxhimin e projekteve inovative për tregjet vendase dhe ndërkombëtare.


Informatikë Biznesi

Masteri në Informatikë Biznesi, i zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin BOKU University, kombinon shkencat kompjuterike, analizën e të dhënave dhe inteligjencën artificiale për t’iu përgjigjur nevojave të transformimit digjital në ekonomi, agrobiznes dhe administratë publike. Programi përgatit studentët me kompetenca të avancuara në programim, inxhinieri software, sisteme biznesi, data science dhe AI, duke i aftësuar për zhvillimin e zgjidhjeve digjitale dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna. Përmes profileve “Zhvillim Software dhe Sisteme Biznesi” dhe “Data Science dhe Inteligjencë Artificiale në Ekonomi”, studentët fitojnë aftësi praktike në zhvillimin e aplikacioneve, analizën ekonometrike, machine learning, sigurinë kibernetike, vizualizimin e të dhënave dhe inovacionin digjital për tregjet dhe bizneset moderne.


Financë dhe Kontabilitet

Masteri në Financë dhe Kontabilitet ofron dy profile të specializuara karriere, Financë-Bankë dhe Kontabilitet-Auditim, duke iu përgjigjur zhvillimeve të ekonomisë shqiptare dhe procesit të integrimit evropian. Programi kombinon njohuritë teorike me praktika bashkëkohore, përmes përdorimit të softuerëve të specializuar, analizës financiare moderne dhe raportimit sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa përfshin edhe komponentë të avancuar kërkimorë që finalizohen me tezën e Masterit. Studentët do të fitojnë kompetenca në analizën dhe menaxhimin financiar, auditim, planifikim ekonomik, financat rurale dhe hartimin e politikave zhvillimore për sektorin privat, publik dhe agrobiznesin, në përputhje me modelin ndërdisiplinor të reformës së BOKU University.

Ekonomi Qarkulluese

Masteri në Ekonomi Qarkulluese ofron një formim të avancuar në ekonominë e qëndrueshme, menaxhimin efikas të burimeve dhe tranzicionin e gjelbër, duke iu përgjigjur sfidave të zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian të Shqipërisë. Programi ndërthur njohuritë teorike me analizën praktike të politikave publike mjedisore, financave të gjelbra, metodave moderne të analizës së të dhënave dhe hartimit të strategjive të qëndrueshme, në përputhje me praktikat dhe strategjitë europiane si Green Deal dhe Circular Economy Action Plan. Studentët do të fitojnë kompetenca në analizën e zinxhirëve të vlerës dhe modeleve qarkulluese, formulimin e politikave dhe rekomandimeve strategjike, si edhe aftësi kërkimore dhe praktike për zhvillimin e projekteve që mbështesin ekonominë e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm.


 Menaxhimi i Cilësisë dhe Standardeve në Sistemet Agroushqimore

Masteri në Menaxhim i Cilësisë dhe Standardeve në Sistemet Agroushqimore përgatit profesionistë të specializuar në menaxhimin e cilësisë, sigurisë ushqimore dhe standardeve të Bashkimit Europian në sektorin agroushqimor. Programi integron auditimin, certifikimin, sistemet e sigurisë ushqimore dhe analizën e të dhënave, duke iu përgjigjur kërkesave të tregut dhe nevojës për rritjen e konkurrueshmërisë dhe eksportit të produkteve shqiptare. Studentët do të fitojnë kompetenca praktike në zbatimin e standardeve si ISO, HACCP dhe GLOBAL G.A.P., menaxhimin e riskut, gjurmueshmërinë, kontrollin e cilësisë dhe proceset e auditimit e certifikimit në bashkëpunim me bizneset dhe institucionet rregullatore.


Inxhinieri Ushqimore

Masteri në Inxhinieri Ushqimore ofron një formim të avancuar në teknologjinë, shkencën dhe inovacionin ushqimor, duke përgatitur profesionistë për industrinë moderne të ushqimit dhe pijeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Programi kombinon njohuritë teorike me aftësitë praktike në përpunimin e ushqimit, zhvillimin e produkteve, fermentimin, bioteknologjinë, sigurinë ushqimore dhe prodhimin e qëndrueshëm, me fokus të veçantë në kërkimin shkencor dhe aplikimet industriale. Studentët do të fitojnë kompetenca në optimizimin e proceseve prodhuese, zhvillimin e produkteve inovative, menaxhimin e riskut dhe përdorimin e metodave laboratorike e teknologjive moderne, duke u aftësuar për të ndërtuar një karrierë të fortë dhe konkurruese në sektorin ushqimor.


Shkencat e të Ushqyerit

Masteri në Shkencat e të Ushqyerit përgatit specialistë të aftë për t’iu përgjigjur nevojave në rritje në fushën e ushqyerjes dhe shëndetit publik, duke ofruar njohuri të avancuara mbi rolin e ushqyerjes në shëndetin e njeriut. Programi zhvillon aftësi praktike dhe shkencore në vlerësimin e gjendjes ushqyese, hartimin e planeve dietike dhe analizën e të dhënave klinike, dietike dhe epidemiologjike për popullata dhe gjendje të ndryshme shëndetësore. Studentët do të fitojnë kompetenca në kërkimin shkencor, analizën e sistemeve ushqimore dhe hartimin e politikave e programeve të shëndetit publik të lidhura me ushqyerjen dhe qëndrueshmërinë.


Dizajn dhe Teknologji Druri

Masteri në Dizajn dhe Teknologji Druri ofron një vazhdimësi akademike dhe profesionale për studentët e diplomuar në “Inxhinieri e Drurit dhe Dizajn Interieri”, duke mundësuar specializim të avancuar në këtë fushë. Programi integron teknologjinë e drurit, shkencën e materialeve dhe dizajnin, duke zhvilluar kompetenca ndërdisiplinore dhe aftësi inovative të nevojshme për industritë moderne të bazuara në dru dhe për aplikimin e teknologjive të qëndrueshme e proceseve të avancuara të prodhimit. Studentët do të fitojnë njohuri të avancuara mbi materialet dhe produktet inxhinierike të drurit, projektimin e konstrukteve prej druri dhe zhvillimin e dizajnit të interierit, duke përdorur programe modelimi dhe mjete vizuale moderne për konceptim, analizë dhe prezantim profesional të projekteve.


Menaxhimi i Ekosistemeve Pyjore

Masteri në Menaxhim i Ekosistemeve Pyjore ofron vazhdimësi akademike dhe profesionale, duke zhvilluar kompetenca ndërdisiplinore dhe aftësi inovative në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve. Programi përgatit specialistë të aftë për inventarizimin, monitorimin dhe përdorimin e metodave teknologjike moderne në administrimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve pyjore. Studentët do të fitojnë kompetenca në vlerësimin dhe menaxhimin e shfrytëzimit pyjor, infrastrukturës rrugore dhe projekteve teknike si teleferikët, duke rekomanduar zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin e ardhshëm të sektorit.


Mjekësi Veterinare

Masteri në Mjekësi Veterinare është konceptuar për të mbështetur përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian dhe kompetencat e European Association of Establishments for Veterinary Education, duke forcuar kapacitetet profesionale në shërbimet veterinare, survejancë, siguri ushqimore dhe shëndet publik veterinar. Programi fokusohet në prioritetet europiane si rezistenca antimikrobiale (AMR), biosekuriteti, mirëqenia e kafshëve dhe kuadri “One Health”, duke përgatitur specialistë të aftë për zbatim të menjëhershëm profesional. Studentët do të fitojnë kompetenca në diagnostikimin dhe kontrollin e sëmundjeve, epidemiologji, diagnostikë laboratorike, kontrolle zyrtare, vlerësim risku dhe komunikim profesional me fermerët, institucionet dhe aktorët e tjerë të sektorit.