Skip to Content

UBT dhe Ambasada e Spanjës forcojnë bashkëpunimin për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit

3 tetor 2026 by
UBT dhe Ambasada e Spanjës forcojnë bashkëpunimin për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës priti Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Sh.T.Z. Gabriel Cremades, në një takim të fokusuar në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Spanjës në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, me një vëmendje të veçantë ndaj menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Gjatë takimit u vlerësua kontributi i CIHEAM Zaragoza, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, kërkimit, inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive në sektorë me rëndësi strategjike për Shqipërinë.

Në qendër të diskutimeve ishte konferenca ndërkombëtare “WATER 2030 – Modernising Water Management and Irrigation Systems for a Resilient Albania: European Experiences, Innovation and the Path towards EU Water Standards”, e cila do të zhvillohet në Tiranë më 3 nëntor 2026, nën patronazhin e Ambasadës së Spanjës në Shqipëri dhe me Universitetin Bujqësor të Tiranës si institucionin akademik udhëheqës.

Konferenca do të bëjë bashkë UBT, CIHEAM Zaragoza, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Karlsruhe Institute of Technology (KIT), BOKU University Vienna, GEO-WB6 dhe FAO Albania, duke krijuar një platformë diskutimi dhe shkëmbimi mes institucioneve shqiptare dhe ekspertizës europiane.

Në fokus do të jenë modernizimi i menaxhimit të ujit dhe sistemeve të ujitjes, siguria ujore, qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike, bujqësia e qëndrueshme dhe përafrimi me standardet europiane të ujit.

Në një kohë kur menaxhimi i burimeve ujore, ndryshimet klimatike, zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe procesi i integrimit europian janë gjithnjë e më të ndërlidhura, WATER 2030 synon të kontribuojë në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për një sektor ujor më modern, efikas dhe të qëndrueshëm në Shqipëri.

Universiteti Bujqësor i Tiranës vlerëson angazhimin e Ambasadorit Gabriel Cremades dhe të Ambasadës së Spanjës në Shqipëri për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetjen e kësaj nisme.

Nga përvoja europiane drejt zgjidhjeve shqiptare – drejt Albania Water 2030.