Skip to Content

Universiteti Bujqësor i Tiranës marrëveshje bashkëpunimi me UBT në Kosovë

28 korrik 2026 by
Universiteti Bujqësor i Tiranës marrëveshje bashkëpunimi me UBT në Kosovë
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të zgjerojë rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke nënshkruar një marrëveshje partneriteti me UBT në Kosovë. Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe shkëmbimit akademik.

Në kuadër të këtij partneriteti, një delegacion i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zhvilloi një vizitë zyrtare në kampusin e UBT-së në Kosovë. Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne të universitetit, duke shkëmbyer përvoja mbi zhvillimin institucional dhe praktikat më të mira në arsimin e lartë.

Në takimin mes drejtuesve të dy universiteteve u diskutuan mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, hartimin e programeve të përbashkëta akademike, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë për të dy institucionet.

Marrëveshja krijon një bazë të qëndrueshme për iniciativa të përbashkëta që synojnë rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor, forcimin e ndërkombëtarizimit dhe nxitjen e inovacionit, duke kontribuar në zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në rajon.