Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi një takim informues me maturantë nga Tirana, duke vijuar prezantimin e ofertës akademike për vitin akademik 2026–2027. Aktiviteti u fokusua në njohjen e të rinjve me programet e studimit, mundësitë e karrierës dhe përvojat ndërkombëtare që ofron UBT.
Gjatë takimit, prezantime u mbajtën nga përfaqësues të pesë fakulteteve të universitetit- Bujqsisë dhe Mjedisit, Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Shkencave Pyjore, Mjekësisë Veterinare si dhe nga Zyra Erasmus, e cila informoi maturantët mbi mundësitë e shkëmbimeve dhe studimeve jashtë vendit.
Gjatë takimit me maturantët u theksua se programet e studimit në UBT hapin rrugë konkrete karriere në administratë publike, biznese private, organizata joqeveritare duke ofruar formim profesional të lidhur ngushtë me nevojat e tregut të punës.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua programeve me ekspertizë europiane, të hartuara në bashkëpunim me ekspertë nga Austria dhe me Universitetin BOKU – Vjenë.
Aktualisht, UBT ofron gjithsej 13 programe studimi, ndër të cilat 12 programe Bachelor dhe një program të integruar në Mjekësi Veterinare, të shoqëruar me cikle Master dhe Doktorature. Nëntë prej programeve ofrohen në kuadër të bashkëpunimit akademik me BOKU dhe synojnë përgatitjen e studentëve me njohuri bashkëkohore dhe kompetenca ndërdisiplinare: Shkenca Bujqësore dhe Siguria Ushqimore, Inxhinieri e Mjedisit dhe Ujit, Teknologji e Informacionit në Bujqësi dhe Mjedis, Ekonomiks, Menaxhim Biznesi, Teknologji Ushqimore, Ushqimi dhe Shkencat e të Ushqyerit, Dizajni i Interierit dhe Inxhinieri e Drurit, si dhe Inxhinieri Pyjore.
UBT fton maturantët në të gjithë vendin të bëhen pjesë e takimeve informuese për programet e studimit, të zhvilluara në mjediset e universitetit, të vizitojnë kampusin dhe të njihen nga afër me një ofertë akademike ndryshe, të ndërtuar sipas standardeve më të mira europiane dhe të orientuar drejt së ardhmes.





