Tashmë vaji i ullirit do të analizohet në UBT. Në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit u zhvillua sot aktiviteti përmbyllës i projektit “Ngritja e Laboratorit të Analizimit të Vajit të Ullirit dhe Vajrave Vegjetale”, një investim i rëndësishëm në infrastrukturën kërkimore dhe laboratorike të universitetit, i mbështetur nga fondet e AKKSHI-t.
Në aktivitet mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, së bashku me drejtues, pedagogë, kërkues shkencorë dhe studentë të Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Gjatë prezantimit u pasqyruan rezultatet e projektit, i cili është realizuar në periudhën 2024–2026, me koordinator Prof. Dr. Kapllan Sulaj.
Laboratori i ri synon të forcojë kapacitetet kërkimore dhe mësimdhënëse të UBT-së në fushën e teknologjisë ushqimore, duke krijuar mundësi për analiza të avancuara fiziko-kimike të vajit të ullirit dhe vajrave të tjerë vegjetalë. Ai do të shërbejë si një platformë moderne për zhvillimin e kërkimit shkencor, mbështetjen e studimeve master dhe doktoraturë, si dhe për ofrimin e shërbimeve laboratorike për industrinë agro-ushqimore.
Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu pajisjet instrumentale të instaluara në laborator, procesi i realizimit të projektit dhe ndikimi që kjo infrastrukturë pritet të ketë në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor, trajnimin e studentëve dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet dhe partnerët e sektorit.
Ky investim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm të UBT-së në modernizimin e infrastrukturës kërkimore dhe në mbështetjen e zhvillimit të sektorit agro-ushqimor në Shqipëri, veçanërisht në fushën e kontrollit dhe certifikimit të cilësisë së vajit të ullirit, një produkt me rëndësi të veçantë ekonomike për vendin.









