Skip to Content

UBT prezanton arritjet dhe prioritetet strategjike në Asamblenë e Përgjithshme të stafit akademik dhe administrativ

9 korrik 2026 by
UBT prezanton arritjet dhe prioritetet strategjike në Asamblenë e Përgjithshme të stafit akademik dhe administrativ
Web Publikime

Në përmbyllje të vitit akademik 2025–2026, Universiteti Bujqësor i Tiranës mbajti mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë Akademike dhe të stafit administrativ, ku u prezantuan zhvillimet më të rëndësishme institucionale, rezultatet e arritura gjatë vitit dhe prioritetet strategjike që do të udhëheqin përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2026–2027.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, prezantoi vizionin e universitetit për transformimin akademik, të mbështetur në modelin e Universitetit BOKU të Vjenës, duke theksuar se UBT po hyn në një epokë të re zhvillimi, të bazuar në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe ekselencë akademike.

Rektori prezantoi arkitekturën e re akademike të UBT-së për vitin 2026–2027, e cila përfshin 12 programe Bachelor, 17 programe Master Shkencor, 2 programe Master Ekzekutiv, një prej të cilëve i ri, si edhe 5 programe doktorature që po kalojnë procesin e rishikimit sipas standardeve të reja.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua reformës së ofertës akademike, e cila, sipas rektorit, nuk synon reduktimin e programeve, por transformimin e filozofisë akademike, përmes rritjes së cilësisë, harmonizimit me standardet ndërkombëtare dhe krijimit të programeve të reja që i përgjigjen nevojave të tregut të punës dhe zhvillimit të vendit.

Gjatë prezantimit u evidentua puna intensive e zhvilluar gjatë muajve të fundit për rishikimin e programeve të studimit, ku janë organizuar 30 workshope me pjesëmarrjen e stafit akademik dhe ekspertëve të BOKU, ndërsa mbi 1,000 orë punë akademike janë investuar në analizimin, rishikimin dhe përgatitjen e programeve të reja Bachelor.

Rektori Sallaku ndau gjithashtu rezultatet në fushën e kërkimit shkencor dhe projekteve ndërkombëtare. Aktualisht, UBT ka 24 projekte në fazën e firmosjes së kontratave për vitin 2026 me një normë suksesi prej rreth 90%, 22 projekte në zbatim, rreth 200 anëtarë të stafit të përfshirë drejtpërdrejt në projekte dhe 29 iniciativa ndërkombëtare në kuadër të programeve Erasmus+, Horizon Europe, Interreg, APPEAR, READ dhe bashkëpunimeve bilaterale.

Në vijim, u prezantuan edhe prioritetet strategjike të universitetit në fushën e kërkimit shkencor, të cilat përfshijnë konsolidimin e politikave institucionale për kërkimin, reformimin e sistemit të menaxhimit financiar, modernizimin e studimeve të doktoraturës sipas modelit BOKU, rritjen e pjesëmarrjes në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës kërkimore dhe laboratorike.

Në përmbyllje, Rektori përcolli mesazhet kryesore për periudhën në vazhdim, duke theksuar se fokusi i muajve të ardhshëm do të jetë promovimi i ofertës së re akademike, përgatitja intensive për fillimin e vitit të ri universitar, mbështetja e zbatimit të programeve të reja, zgjerimi i mobiliteteve dhe bashkëpunimit me Universitetin BOKU, si edhe vijimi i reformës institucionale në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe menaxhimit modern universitar.