Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar në kuadër të projektit NET4GREEN, me fokus analizimin e nevojave, mangësive dhe sfidave kryesore në zhvillimin e sipërmarrjes dhe ekonomisë së gjelbër në Shqipëri.
Takimi mblodhi përfaqësues nga institucione akademike, organizata mbështetëse dhe aktorë të tjerë të ekosistemit, duke vendosur theks të veçantë tek fuqizimi i të rinjve dhe grave sipërmarrëse në sektorin green. Diskutimet u përqendruan në mungesën e programeve të strukturuara të inkubimit dhe bootcamp-eve praktike për zhvillimin e ideve dhe startup-eve të gjelbra, si dhe në nevojën për ndërtim kapacitetesh që lidhin idenë me zbatimin konkret në treg.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të universiteteve në nxitjen e sipërmarrjes së qëndrueshme, përmes përfshirjes aktive të studentëve, përdorimit të laboratorëve universitarë, mentorimit akademik dhe forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat. Në këtë kuadër, UBT theksoi angazhimin e tij për të kontribuar në krijimin e një ekosistemi më funksional dhe më të qëndrueshëm për inovacionin e gjelbër.
Gjithashtu, pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e mekanizmave mbështetës që shkojnë përtej financimit, duke përfshirë programe të dedikuara zhvillimi, mbështetje institucionale dhe ndërveprim të vazhdueshëm mes aktorëve të ndryshëm. Diskutimet evidentuan nevojën për ndërhyrje më të strukturuara dhe operacionale, me qëllim adresimin e sfidave ekzistuese dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sipërmarrjes së gjelbër në vend.


