Universiteti Bujqësor i Tiranës ishte pjesë e Panairit të 5-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i cili u çel në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke mbledhur institucione akademike, studiues dhe studentë nga Shqipëria dhe rajoni.
UBT u përfaqësua me stendën e tij me botime akademike dhe shkencore, e cila tërhoqi interes të lartë nga vizitorët gjatë gjithë ditës së parë të panairit. Studentë, pedagogë dhe të interesuar të fushave të ndryshme u ndalën pranë stendës së universitetit për t’u njohur nga afër me literaturën e ofruar, si dhe për të blerë botime që lidhen me shkencat e jetës, bujqësinë, ekonominë dhe mjedisin. Interesi i treguar konfirmon rëndësinë e këtyre botimeve dhe rolin e UBT si një qendër e rëndësishme e prodhimit dhe shpërndarjes së dijes shkencore në vend.
Ceremonia e hapjes së panairit u zhvillua në prani të përfaqësuesve të institucioneve akademike dhe diplomatike. Aktiviteti u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi. Pjesë e ceremonisë ishte gjithashtu edhe Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërakademik dhe rolin e këtyre aktiviteteve në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare.
Panairi do të qëndrojë i hapur për publikun gjatë datave 22–24 prill 2026, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, promovimin e botimeve shkencore dhe afrimin e studentëve me literaturën akademike bashkëkohore.
Pjesëmarrja e UBT në këtë panair konfirmon edhe një herë angazhimin e universitetit për të kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe përhapjen e dijes shkencore në Shqipëri dhe më gjerë.






