Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpriti stafin e Agjencisë Kombëtare për Ujësjellës-Kanalizime (AKUK), me në krye Drejtoreshën e Përgjithshme, znj. Elidjana Cela, si dhe znj. Christine König, Commission Manager për projektin e Ekonomisë Qarkulluese për Zhvillim të Qëndrueshëm në Shqipëri.
Ky takim shënoi një moment të rëndësishëm për UBT, pasi u finalizua një marrëveshje bashkëpunimi strategjik me AKUK, e cila, me mbështetjen financiare dhe teknike të GIZ, mundësoi ngritjen e laboratorit të parë në Shqipëri të dedikuar për analizimin e llumit të gjeneruar nga trajtimi i ujërave të ndotura. Falë kësaj mbështetjeje, laboratori do të kryejë edhe procesin e akreditimit, duke siguruar të gjitha kushtet dhe besueshmërinë e nevojshme për realizimin e të gjithë analizave të kërkuara për këtë parametër.
Një laborator i tillë nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por përfaqëson një hallkë kyçe në menaxhimin e qëndrueshëm të llumit në vend. AKUK do të përdorë rezultatet e këtij laboratori për të siguruar bashkërendimin institucional me shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve dhe aktorët e tjerë relevantë në sektor, për raportim në përputhje me Direktivën 86/278/EEC dhe njësinë e saj të monitorimit, si dhe për të mbështetur funksionimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të laboratorit.
Përmes këtij projekti, të gjitha llumrat do të analizohen në laboratorin e UBT, duke garantuar cilësinë, sigurinë dhe përshtatshmërinë e tyre për përdorim bujqësor, në përputhje me standardet kombëtare dhe ato europiane.
Ky laborator vjen si vazhdimësi e suksesit të Laboratorit të Vlerësimit të Hershëm të COVID-19 të UBT, i mbështetur gjithashtu financiarisht nga GIZ. Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe performancës së dëshmuar nga UBT në ngritjen dhe funksionimin e këtij laboratori jetik për Shqipërinë, GIZ rinovoi besimin e saj duke mbështetur këtë investim të ri strategjik, i cili e bën UBT-në institucionin e parë në vend me kapacitete të plota për monitorimin mjedisor dhe ekonominë qarkulluese, duke konsoliduar rolin e tij si qendër kombëtare reference për analizat e tokës, ujit, mbetjeve dhe llumrave.