Skip to Content

UBT mirëpret studentë të Masterit nga ULCO, Francë

Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpriti një grup studentësh të nivelit Master nga Université du Littoral Côte d’Opale (ULCO), Francë, në kuadër të një vizite të organizuar për të njohur nga afër ofertën akademike, infrastrukturën kërkimore dhe mundësitë e bashkëpunimit që ofron universiteti. 

Vizita nisi me një takim prezantues, ku studentët u njohën me historikun, misionin dhe zhvillimet më të fundit të UBT-së. Në fjalën e saj, zv.rektorja për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Asoc. Romina Koto, prezantoi fakultetet, programet e studimit dhe drejtimet strategjike të universitetit, duke u ndalur veçanërisht te procesi i modernizimit të ofertës akademike dhe përpjekjet e vazhdueshme të UBT-së për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Ajo theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin BOKU, një partneritet strategjik që ka kontribuar në rishikimin dhe zhvillimin e programeve të studimit, forcimin e kapaciteteve akademike dhe ndërkombëtarizimin e universitetit. 

Më pas, Prof. Dr. Alketa Grepcka, nga Zyra e Projekteve dhe Zhvillimit, prezantoi programet e mobilitetit ndërkombëtar dhe mundësitë që UBT ofron për studentët dhe stafin akademik përmes programeve evropiane dhe partneriteteve ndëruniversitare. Gjatë prezantimit u ndanë informacione mbi shkëmbimet studentore, projektet ndërkombëtare dhe mundësitë për zhvillim akademik e profesional në një mjedis ndërkombëtar. 

Në vijim të vizitës, studentët zhvilluan një tur në ambientet e universitetit, ku u njohën nga afër me auditorët, laboratorët dhe infrastrukturën në funksion të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. 

Një nga ndalesat ishte Laboratori i Smart Agriculture i Hortikulturës, ku studentët u pritën nga Prof. Dr. Endrit Kullaj. Ai prezantoi teknologjitë inovative që përdoren në bujqësinë e zgjuar, aplikimet e dixhitalizimit dhe zgjidhjet moderne për monitorimin dhe menaxhimin e kulturave bujqësore, duke evidentuar rolin e teknologjisë në zhvillimin e bujqësisë së së ardhmes. 

Vizita vijoi në laboratorët e analizës së vajit të ullirit dhe të tokës, ku studentët u njohën me pajisjet bashkëkohore, metodat laboratorike dhe analizat që kryhen në mbështetje të kërkimit shkencor, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor. 

Përmes kësaj vizite, studentët francezë patën mundësinë të njihen me arritjet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, standardet akademike që ofron, laboratorët modernë dhe angazhimin e universitetit për të ndërtuar një mjedis studimi të orientuar drejt inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.