Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në Parlamentin Rural Shqiptar, një forum i rëndësishëm që bashkon aktorët kryesorë dhe energjitë që po formësojnë të ardhmen e zonave rurale në Shqipëri. UBT u përfaqësua në këtë aktivitet nga Rektori, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Zv/Rektorja për Shkencën dhe Projektet Prof.Dr. Erinda Lika e cila ishte pjesë e një prej paneleve të Parlementit Rural me fokus tek Shqipëria rurale në rrugën drejt Evropës: çfarë do të thotë për komunitetet dhe territoret. Një grup studentësh nga UBT ishin po ashtu pjesë e këtij eventi i cili shënoi vitin e katërt.
Në fjalën e tij, Rektori Sallaku theksoi se bujqësia shqiptare ndodhet në një moment vendimtar, në një kohë kur vendi po avancon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Bujqësia shqiptare sot nuk përballet më thjesht me aspirata, por me përgjegjësi konkrete dhe me një mundësi historike për ta transformuar sektorin në një model të qëndrueshëm, konkurrues dhe tërësisht të përputhshëm me standardet evropiane,” u shpreh ai. Gjatë adresimit të tij, ai nënvizoi se politikat dhe financimet, ndonëse të rëndësishme, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me kuptim dhe zbatim efektiv në terren. “Ndikimi real i politikave varet nga mënyra se si ato kuptohen dhe zbatohen në praktikë. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi mes fermerëve, si dhe edukimi, trajnimi dhe ngritja e kapaciteteve, janë thelbësore,” theksoi Rektori Sallaku. Ai vuri theks të veçantë tek roli i trajnimit, duke e cilësuar atë si urën kryesore që lidh politikat me praktikën.
“Trajnimi është ura që e kthen mbështetjen në investim real dhe i ndihmon fermerët të marrin vendime të informuara dhe afatgjata,” shtoi ai. Në vijim, Rektori Sallaku theksoi se e ardhmja e bujqësisë duhet të ndërtohet mbi bazën e dijes dhe inovacionit. “Kalimi nga tradita tek inovacioni, nga sasia tek cilësia dhe nga praktikat informale tek standardet e BE-së nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri,” deklaroi ai.
Në këtë kontekst, ai u ndal edhe tek reforma e thellë që po zhvillohet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke theksuar se ajo është konceptuar pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave në zhvillim të sektorit bujqësor në Shqipëri.
Ai theksoi gjithashtu se përmes kësaj reforme, UBT po pozicionohet për të lidhur në mënyrë më efektive arsimin, kërkimin shkencor dhe praktikën, në funksion të mbështetjes së fermerëve, institucioneve dhe aktorëve ruralë në përmbushjen e standardeve evropiane dhe sfidave të zhvillimit modern.





