Universiteti Bujqësor i Tiranës ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Hungarian University of Agriculture and Life Sciences (MATE), një nga institucionet më të rëndësishme akademike në Hungari në fushën e bujqësisë, shkencave të jetës dhe kërkimit shkencor.
Marrëveshja u firmos në Tiranë nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Rektori i MATE, Prof. Dr. Csaba Gyuricza, me synimin për të forcuar bashkëpunimin akademik, kërkimor dhe institucional mes dy universiteteve. E pranishme në firmosjen e marrëveshjes ishte edhe Ambasadorja e Hungarisë në Tiranë, Znj. Martina Kasnyik.
Marrëveshja parashikon se palët do të bashkëpunojnë në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave, seminareve dhe programeve trajnuese, si dhe bashkëpunimin në kuadër të programeve dhe rrjeteve ndërkombëtare.
Një nga aspektet e këtij bashkëpunimi gjithashtu është mbështetja për bashkëudhëheqjen e temave bachelor, master dhe doktoraturë, promovimin e publikimeve shkencore dhe aplikimeve të përbashkëta në projekte ndërkombëtare të kërkimit dhe inovacionit.
Ky bashkëpunim vjen në një moment të rëndësishëm për transformimin dhe ndërkombëtarizimin e UBT-së, në kuadër të reformës UBT2030, duke krijuar mundësi të reja për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë për të zgjeruar eksperiencat akademike dhe profesionale në një dimension europian.








