Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt sot dita e dytë e Misionit të 18-të të përbashkët me Universitetin BOKU të Vjenës e fokusuar në vijimin e punës së nisur një ditë më parë dhe në sesione paralele për finalizimin e programeve të reja të studimit.
Paraditja nisi me një përditësim nga Grupi i Punës për Mjekësinë Veterinare mbi statusin aktual të rishikimit të programit. Paralelisht, Grupi i Mjekësisë Veterinare punoi mbi zbatimin e programit të ri të VetMed, duke trajtuar çështje akademike dhe strukturore.
Më pas, puna vijoi në disa sesione paralele, ku u prezantuan programe të reja Master duke filluar nga Agronomia dhe deri tek Menaxhimi i Ujërave.
Në kuadër të sesioneve paralele, u zhvillua sesioni i dedikuar zbatimit të ofertës akademike dhe administrimit të saj, i drejtuar nga Prof. Dr. Ilir Kapaj, Zv/Rektor për Mësimin në UBT. Gjatë këtij sesioni u diskutuan në mënyrë të detajuar proceset e planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të programeve të studimit, me fokus në përputhjen e ofertës akademike me nevojat e studentëve dhe kërkesat e tregut të punës, si dhe në rolin e administrimit akademik në garantimin e cilësisë, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së mësimdhënies në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Pasdite, sesionet paralele vijuan me thellimin e diskutimeve për administrimin e mësimdhënies, ku iu bashkua edhe Grupi i Komunikimit, i drejtuar nga Prof. Assoc. Romina Koto për të diskutuar strategjitë e marketingut të brendshëm dhe të jashtëm për të gjitha programet e reja. Po ashtu edhe grupi i PR prezantoi punën e planifikuar për promovimin e programeve të reja.
Grupi i Kërkimit Shkencor u mblodh në Rektorat për të trajtuar çështje që lidhen me programet e mobilitetit, programet e reja të doktoraturës dhe kompetencat akademike në UBT, nën drejtimin e Prof. Dr. Erinda Lika.
Dita e dytë e Misionit të 18-të të BOKU në UBT u përmbyll me një përmbledhje të punës së zhvilluar dhe me diskutime thelbësore mbi programet, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët të UBT-së dhe BOKU-së për ndërtimin e programeve moderne, të zbatueshme dhe të harmonizuara me standardet evropiane të arsimit të lartë.











