UBT, përmes Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, ka mirëpritur kompaninë Hunter Group Albania, e cila zhvilloi një prezantim të hapur për studentët e Arkitekturës së Peizazhit, duke prezantuar sistemet më të avancuara të ujitjes dhe ndriçimit të jashtëm.
Ky aktivitet shënon fillimin e një bashkëpunimi të ri dhe premtues ndërmjet UBT-së dhe Hunter Group Albania, me synim lidhjen më të ngushtë të edukimit akademik me praktikën profesionale në fushën e dizajnit dhe implementimit të peizazhit.
Në kuadër të këtij partneriteti, Hunter Group Albania do të kontribuojë drejtpërdrejt në lëndët e Studio-s përmes ofrimit të asistencës teknike profesionale në dizajnin e sistemeve të ujitjes dhe ndriçimit. Pjesë e këtij angazhimi do të jenë edhe specialistë ndërkombëtarë nga Izraeli, të cilët do të punojnë ngushtë me studentët në projektet e tyre akademike.
Bashkëpunimi parasheh gjithashtu ofrimin e praktikave profesionale për deri në gjashtë studentë për çdo vit akademik, duke u mundësuar atyre përvojë praktike në projekte reale dhe njohje të drejtpërdrejtë me standardet e industrisë. Për studentët e diplomuar me performancë të lartë profesionale dhe teknike, do të krijohen edhe mundësi konkrete punësimi.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është investimi në krijimin e një ekspozite të produkteve të Hunter Group brenda ambienteve të UBT-së, e cila do të shërbejë si platformë edukative për studentët dhe stafin akademik, duke forcuar mësimin e aplikuar në sistemet infrastrukturore të peizazhit.
Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të përvojës akademike në UBT, nxitjes së shkëmbimit ndërkombëtar të njohurive dhe rritjes së përgatitjes profesionale të studentëve në fushat e ujitjes, ndriçimit dhe sistemeve të qëndrueshme të hapësirave të jashtme.