Skip to Content

Transmetimi i njohurive ndër breza, leksion dyditor në UBT

Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi një leksion dyditor mbi transmetimin e njohurive ndër breza dhe rolin e memories institucionale si një nga sfidat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, i mbajtur nga Prof. Dr. Tatjana Dishnica, me pjesëmarrjen e stafit akademik, studiuesve dhe studentëve.

Në leksion u trajtua rëndësia e menaxhimit të njohurive në administratën publike dhe institucionet akademike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua konceptit të “vakumit të njohurive”, i cili krijohet si pasojë e pensionimeve masive dhe mungesës së mekanizmave për ruajtjen dhe transferimin e përvojës së mbledhur. Po ashtu u theksua se ky proces sjell kosto të fshehura për institucionet, duke ndikuar negativisht në vazhdimësinë institucionale, cilësinë e vendimmarrjes dhe efektivitetin e proceseve kërkimore dhe administrative.

Në këtë kontekst, Prof. Dr. Dishnica vuri në pah rëndësinë e memories institucionale si një aset strategjik, i cili ndihmon në shmangien e harresës institucionale, ul varësinë nga individët dhe parandalon përsëritjen e gabimeve, duke garantuar vazhdimësi dhe qëndrueshmëri organizative.

Gjatë leksionit u trajtua gjithashtu fenomeni i erozionit institucional, i krahasuar me humbjen e pjellorisë së tokës në agronomi, ku përvoja e vlefshme humbet pa u strukturuar dhe dokumentuar, duke e lënë sistemin të dobët dhe joefikas.

Leksioni përfundoi me theksimin e përfitimeve të transmetimit të njohurive ndër breza, si ruajtja e njohurive institucionale, nxitja e inovacionit, përmirësimi i angazhimit të punonjësve dhe forcimi i qëndrueshmërisë organizative, në përputhje me praktikat bashkëkohore të menaxhimit dhe zhvillimit të institucioneve.