Përmes bashkëpunimeve të konsoliduara ndërkombëtare dhe programeve të bursave, prej vitit 2021 qindra studentë të UBT-së kanë përfunduar ose po ndjekin aktualisht studimet në universitete të njohura europiane, duke përfituar eksperiencë akademike dhe kulturore me standarde europiane.
Gjatë vitit akademik 2024–2025, përmes programit Erasmus+, rreth 120 studentë të UBT-së janë përzgjedhur për të ndjekur një semestër studimi në universitete partnere në Europë.
Studentët, që përfaqësojnë të gjitha fakultetet e universitetit, kanë zhvilluar mobilitetin e tyre në universitete prestigjioze në Gjermani, Poloni, Turqi, Kroaci, Greqi, Serbi, Itali, Letoni, Rumani, Bullgari dhe Slloveni. Kjo eksperiencë gjashtëmujore u ka mundësuar atyre të thellojnë njohuritë akademike, të njihen me praktika moderne europiane të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, si dhe të forcojnë aftësitë profesionale, gjuhësore dhe ndërkulturore.
Përmes Erasmus+, studentët e UBT-së kanë pasur mundësinë të punojnë në laboratorë bashkëkohorë, të përfshihen në projekte kërkimore ndërkombëtare dhe të ndërtojnë rrjete bashkëpunimi që i shërbejnë zhvillimit të tyre afatgjatë akademik dhe profesional.
Një rol kyç në këtë proces ka luajtur Zyra Erasmus e UBT-së, e cila ka ofruar mbështetje të plotë në çdo fazë të mobilitetit – nga informimi dhe orientimi fillestar, te asistenca në aplikim, koordinimi me universitetet pritëse dhe njohja akademike e krediteve pas përfundimit të semestrit jashtë vendit. Përmes një procesi të strukturuar dhe transparent, universiteti garanton integrimin e plotë të kësaj përvoje në rrugëtimin akademik të studentëve.
Pjesëmarrja e gjerë në Erasmus+ konfirmon angazhimin strategjik të UBT-së për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe afrimin me standardet europiane. Njëkohësisht, kjo përbën një mundësi të shkëlqyer për maturantët dhe studentët e ardhshëm që zgjedhin UBT-në, duke iu ofruar atyre jo vetëm arsim cilësor, por edhe eksperiencë ndërkombëtare që hap dyer drejt mundësive të reja.







