Një grup prej 30 studentësh nga Bygholm Landbrugsskole në Danimarkë, të profilizuar në degën e Bujqësisë, zhvilluan një vizitë studimore në Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Gjatë vizitës së tyre në kampusin universitar, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet e UBT-së, duke përfshirë laboratorët e bimëve dhe të tokës, të cilët përbëjnë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e praktikave kërkimore dhe profesionale në universitet. Ata mësuan për disa nga sëmundjet që prekin bimët apo kulturat bujqësore në Shqipëri.
Vizita e tyre në Shqipëri ishte pjesë e një turi më të gjerë studimor, gjatë të cilit studentët eksploruan nga afër aspekte të ndryshme të bujqësisë shqiptare dhe mjedisit. Këto përvoja u reflektuan edhe në takimin informues që ata zhvilluan me stafin akademik të UBT, ku u diskutuan vëzhgimet e tyre në terren dhe u shkëmbyen perspektiva mbi zhvillimin e sektorit bujqësor.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj vizite ishte edhe prezantimi i transformimit të thellë që po kalon UBT, në kuadër të reformimit të programeve të studimit dhe modernizimit të infrastrukturës akademike, me synimin për t’u përafruar me standardet më të avancuara evropiane në fushën e shkencave të jetës dhe bujqësisë.
Prej kohësh tashmë, Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpret stafe akademike dhe studentë nga universitete në Europë dhe më gjerë, të cilët tregojnë interes në rritje për bashkëpunim dhe për t’u njohur nga afër me zhvillimet dhe potencialin që ofron UBT.




