Një mundësi konkrete për të kthyer kërkimin shkencor në ndikim real për trashëgiminë kulturore dhe natyrore u prezantua sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës gjatë një sesioni informues mbi thirrjen për aplikim për grante nga Butrint Management Foundation (BMF).
Aktiviteti mblodhi staf akademik dhe kërkues të interesuar, të cilët u njohën nga afër me detajet e procesit të aplikimit, kriteret e përzgjedhjes dhe fushat prioritare që mbështeten nga fondacioni. Prof. Dr. Endrit Kullaj, Përfaqësues i Grupit Kërkimor Shkencor nga UBT drejtoi takimin ndërsa Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u përfaqësua në këtë sesion nga drejtoresha Jorida Muho.
Gjatë prezantimit u theksua se thirrja është e hapur për institucione të arsimit të lartë, organizata publike dhe jopublike, si dhe studiues individualë me eksperiencë në kërkim shkencor.
Fushat prioritare për aplikantë nga UBT janë, gjeologjia, ekonomia, ekologjia, bujqësia (ku UBT ka ekspertizë), fusha që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore të Butrintit.
Fondacioni mbështet projekte kërkimore shkencore dhe akademike me një fond total të financimit deri në 30,000 USD.
Në sesion u prezantua gjithashtu dokumentacioni i kërkuar për aplikim si dhe u shpjegua procesi i vlerësimit.
Ky sesion informues synon të inkurajojë përfshirjen e komunitetit akademik të UBT në projekte kërkimore me ndikim, duke krijuar ura bashkëpunimi me institucione prestigjioze dhe duke kontribuar në avancimin e dijes dhe inovacionit në vend.
Ky aktivitet vjen gjithashtu në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar mes UBT dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, të formalizuar më herët përmes një marrëveshjeje kuadër, e cila synon forcimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e ekspertizës dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në funksion të ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të Butrintit.






