Skip to Content

Senati Akademik i UBT-së finalizon reformën e ofertës akademike

Pas një procesi dyvjeçar intensiv dhe të përbashkët me Universitetin BOKUSenati Akademik i UBT ka dhënë miratimin për një nga vendimet më të rëndësishme strategjike në historinë e universitetit. Me përfundimin e riorganizimit të plotë të ofertës akademike, UBT hap dritën jeshile për vitin akademik 2026–2027 duke u paraqitur me një arkitekturë të re programesh, të dizajnuara për të adresuar sfidat e ardhshme të sektorit bujqësor dhe rural në Shqipërinë e vitit 2030.

Në thelb të çdo programi qëndron studenti, i cili përgatitet për nevojat reale të tregut të punës dhe perspektivat e zhvillimit të sektorit bujqësor në Shqipërine e Bashkimit Europian. Çdo program është hartuar mbi një filozofi dhe qasje tërësisht të re, ku ndërdisiplinariteti, inovacioni dhe integrimi teori-praktikë janë elemente kyçe, duke garantuar cilësi, konkurrueshmëri ndërkombëtare dhe përshtatje me standardet evropiane. Kjo qasje e bën UBT-në institucionin e parë në vend që i vendos studentin, tregun dhe sektorin në qendër të procesit të dizajnimit akademik.

Ky moment është produkt i një pune të palodhur të komisioneve dhe grupeve të punës, të mbështetura nga ekspertiza dhe misionet e ekipit të BOKU, dhe shënon fillimin e ridizenjimit të plotë të programit Doktorature, si dhe strukturuarimin e administratës universitare, për të garantuar efikasitetin dhe standardet më të larta institucionale.

Me këtë ofertë të re akademike, UBT konfirmon misionin e saj 75-vjeçar, duke qëndruar besnike ndaj angazhimit për të shërbyer sektorin publik dhe për të formësuar një ofertë që paraprin zhvillimet e ardhshme të Shqipërisë në BE. Universiteti nuk ndryshon thjesht programet, ai afirmon vizionin, filozofinë dhe standardet e tij, duke vendosur studentin, tregun e punës dhe perspektivat e sektorit në qendër të çdo vendimi akademik.