Skip to Content

Petra Winter vlerëson UBT-në: Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në nivel me universitetet evropiane

7 korrik 2026 by
Petra Winter vlerëson UBT-në: Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në nivel me universitetet evropiane
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Petra Winter, Presidente e Shoqatës Evropiane të Institucioneve të Arsimit Veterinar (EAEVE), e cila e cilësoi transformimin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare si një arritje që e vendos universitetin në të njëjtin nivel me institucionet homologe në Evropë.

Gjatë një retreat-i pune të zhvilluar në Vlorë, ku u analizua progresi i reformimit të kurrikulës, Winter vlerësoi përkushtimin e UBT-së në përafrimin e programit të studimit me Kompetencat e Ditës së Parë (Day One Competences – D1Cs) dhe standardet e EAEVE.

"Jam e bindur se UBT ka realizuar një transformim të kurrikulës që e vendos atë në të njëjtin nivel me universitetet homologe evropiane dhe është i pozicionuar shumë mirë për akreditimin nga EAEVE", është shprehur Petra Winter në një postim në LinkedIn.

Ajo thekson se ishte frymëzuese të shihte ndikimin konkret të standardeve të EAEVE në reformimin e kurrikulës, duke vlerësuar sinqeritetin dhe profesionalizmin me të cilin u identifikuan pikat e forta dhe sfidat gjatë procesit. Winter shprehu falënderime të veçanta për stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare për angazhimin dhe përkushtimin e tyre.

Gjatë aktivitetit, Presidentja e EAEVE mbajti edhe një prezantim mbi qasjet moderne të mësimdhënies dhe vlerësimit, me fokus te mësimdhënia e orientuar nga studenti, mësimi i bazuar në raste konkrete dhe vlerësimi sipas kompetencave, të cilat konsiderohen elemente kyçe për arsimin veterinar bashkëkohor.

Në ditën përmbyllëse të takimit u diskutuan hapat e mëtejshëm të procesit, përfshirë forcimin e biosigurisë në trajnimet praktike, krijimin e mekanizmave të monitorimit dhe ngritjen e një Komiteti të Zbatimit, i cili do të ndjekë progresin gjatë viteve 2026–2027, në kuadër të përgatitjeve për vizitën paraprake të EAEVE në vitin 2029.

Winter nënvizon se EAEVE ka mbështetur vazhdimisht UBT-në në këtë proces, në bashkëpunim me BOKUVetmeduni Vienna dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), duke theksuar se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përgatitjen, angazhimin dhe përkushtimin e stafit dhe drejtuesve të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ky vlerësim përfaqëson një tjetër dëshmi të progresit të UBT-së në rrugën drejt akreditimit evropian dhe forcimit të pozitës së tij si një institucion i arsimit të lartë që përmbush standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e mjekësisë veterinare.