Skip to Content

Në Ditën Botërore të Shëndetit, aktivitet fizik dhe atmosferë energjike për studentët e UBT

Në Ditën Botërore të Shëndetit, më 7 Prill, në një nga fushat sportive të kampusit të Universitetit Bujqësor të Tiranës u organizua një aktivitet ndryshe me studentët e programit “Ushqimi dhe Shkencat e të Ushqyerit”, të Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, me fokus promovimin e aktivitetit fizik si pjesë e pandashme e një jete të shëndetshme.

Aktiviteti u organizua nga pedagogia Sanije Zejnelhoxha në një atmosferë dinamike dhe motivuese ku studentët u përfshinë jo vetëm në ushtrime fizike të strukturuara, por edhe në lojëra të ndryshme që e bënë aktivitetin më argëtues dhe ndërveprues. Seanca u drejtua nga trajnerja Geljana Elmasllari, njëkohësisht studente e masterit shkencor në Shkencat e Ushqimit dhe të Ushqyerit, e cila udhëhoqi një program ushtrimesh të përshtatura për përmirësimin e mirëqenies fizike.

Gjatë aktivitetit u realizuan edhe matje të thjeshta fiziologjike përmes oksimetrit dhe dinamometrit, duke i dhënë studentëve mundësinë të shohin konkretisht se si reagon organizmi gjatë aktivitetit fizik – nga rritja e kërkesës për oksigjen, te reagimi i sistemit kardiovaskular dhe ai muskulor.

Përtej aspektit edukativ, aktiviteti u përjetua si një eksperiencë energjike dhe motivuese. Vetë studentët u shprehën se ishte një stërvitje shumë interesante dhe ndryshe nga përditshmëria, duke theksuar rëndësinë e lëvizjes jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për mirëqenien mendore.

Ky organizim synon të nxisë më tej ndërgjegjësimin dhe përfshirjen aktive të studentëve në promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës, duke i afruar ata me praktika konkrete që do t’i shoqërojnë edhe në rrugëtimin e tyre profesional.