Skip to Content

Asambleja Akademike e FBM: Garantohet cilësia e diplomave dhe punësim i sigurt

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT mbajti Asamblenë Akademike, ku u prezantua analiza e punës dhe drejtimet kryesore të zhvillimit të fakultetit për periudhën në vijim.


Gjatë takimit, Dekani i FBM-së, Prof. Dr. Seit Shallari, mbajti një prezantim të detajuar mbi ecurinë e fakultetit, duke u ndalur te promovimi i programeve të studimit, reformat akademike në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, si dhe zgjerimi i ofertës akademike në përputhje me kërkesat e tregut të punës në Shqipëri. I pranishëm në këtë takim të rëndësishëm ishte edhe rektori i UBT Prof.Dr. Fatbardh Sallaku i cili që në krye të herës ka vënë theksin tek ndërkombëtarizimi i universitetit si një mënyrë për tu përshtatur me tregun e punës dhe integrimin europian.


Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit angazhohet po ashtu për garantimin e cilësisë së programeve të studimit dhe forcimin e standardeve akademike, duke synuar përgatitjen e diplomave që lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës dhe procesin e integrimit evropian që po kalon vendi. Përmes modernizimit të kurrikulave, përafrimit me standardet e BE dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, FBM synon të formojë ekspertë të kualifikuar në fushat e bujqësisë, mjedisit dhe menaxhimit të burimeve natyrore, të aftë për t’iu përgjigjur nevojave institucionale dhe profesionale që kërkon procesi i integrimit të vendit në strukturat evropiane.


Ky fakultet ofron 4 degë studimi Bachelor në bashkëpunim dhe nën ekspertizën e BOKU në Vjenë të cilat janë Teknologji informacioni në Bujqësi dhe Mjedis, Inxhinieri Mjedisi dhe Uji, Shkenca Bujqësore dhe Siguri ushqimi, dhe Arkitekturë peisazhi.


FBM ofron programe studimi në bujqësi dhe siguri ushqimore, zootekni, akuakulturë dhe peshkim, si dhe në inxhinieri mjedisi për menaxhimin e ujit dhe burimeve natyrore. Programet përfshijnë gjithashtu IT dhe digjitalizim në bujqësi, planifikim territori dhe arkitekturë peizazhi.


Të diplomuarit mund të punësohen pas studimeve si specialistë të bujqësisë precize dhe menaxhimit të fermave, analistë GIS dhe monitorimi mjedisor, ekspertë të teknologjive IoT dhe automatizimit, si edhe zhvillues aplikacionesh dhe administratorë sistemesh në proceset e digjitalizimit. 


Gjithashtu, programet hapin perspektiva punësimi në institucione publike dhe private, agjenci mjedisore, kompani konsulence, projekte infrastrukturore dhe zhvillimi rural të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe në organizata kërkimore, universitete dhe sektorin e këshillimit profesional, duke lidhur drejtpërdrejt formimin akademik me kërkesat reale të tregut të punës.