Si mund të përgatiten më mirë të rinjtë për një sektor agro-ushqimor që po ndryshon me shpejtësi? Çfarë aftësish kërkon tregu i punës dhe si mund të bashkëpunojnë më ngushtë shkollat profesionale, bizneset, universitetet dhe institucionet publike? Këto ishin disa nga çështjet kryesore në fokus të Konferencës Finale të projektit CultiVETing - Cultivating Entrepreneurship in the Agri-Food Sector through VET, e zhvilluar më 10 nëntor 2026 në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Me temën “Nga Arsimi dhe Formimi Profesional drejt Sipërmarrjes në Sektorin AgroUshqimor: Aftësi, Inovacion dhe Partneritete për të Ardhmen”, konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të arsimit dhe formimit profesional, universiteteve, bizneseve, organizatave të zhvillimit dhe partnerë të projektit nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Aktiviteti u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, në bashkëpunim me të gjitha organizatat partnere të projektit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Gjermania dhe Belgjika. Prof. Dr. Erinda Lika, Zëvendësrektore për Shkencën dhe Projektet, si dhe Koordinatore Institucionale për Erasmus+ në Universitetin Bujqësor të Tiranës, mirëpriti pjesëmarrësit dhe rikonfirmoi gatishmërinë e UBT-së për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe formimit profesional, universiteteve dhe sektorit agro-ushqimor.
Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të urave të qëndrueshme ndërmjet dijes, aftësive praktike dhe nevojave të tregut, në mënyrë që të rinjtë të jenë më të përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë e së ardhmes. Konferenca kishte në fokus një nga sfidat kryesore të së ardhmes të së ardhmes së sektorit agro-ushqimor: afrimi i arsimit dhe formimit profesional me nevojat reale të tregut të punës, duke i pajisur të rinjtë jo vetëm me njohuri teknike, por edhe me aftësi sipërmarrëse, digjitale dhe të gjelbra, si dhe me më shumë mundësi për të nxënit praktik dhe përvojë në mjedise reale pune.
Studimi i tregut: të rinjtë kanë interes, por mundësitë për praktikë dhe sipërmarrje mbeten të kufizuara.
Një nga momentet kryesore të konferencës ishte prezantimi i gjetjeve të studimit të tregut “E ardhmja e punës në sektorin agro-ushqimor: Situata aktuale, boshllëqet dhe prioritetet për arsimin dhe formimin profesional në sektorin agro-ushqimor në Shqipëri dhe Kosovë”, nga Prof. Dr. Etleva Dashi, UBT. Ndër gjetjet kryesore u theksua se 44.2% e nxënësve shprehin interes ose interes të lartë për të krijuar një biznes në sektorin agro-ushqimor, por vetëm 16.4% kanë marrë pjesë në programe të sipërmarrjes. Ndërkohë, rreth gjysma e nxënësve të anketuar raportojnë se kanë pak ose aspak praktika profesionale, duke evidentuar kufizimet në mundësitë për të mësuar përmes përvojës konkrete. Gjetjet ofrojnë një pasqyrë orientuese mbi perceptimet dhe përvojat e pjesëmarrësve në studim dhe nuk përfaqësojnë statistika kombëtare. Këto të dhëna nënvizojnë nevojën për programe më të lidhura me kërkesat e tregut, më shumë praktikë profesionale, zhvillim të aftësive të biznesit dhe bashkëpunim më të qëndrueshëm ndërmjet shkollave dhe ndërmarrjeve agro-ushqimore. Studimi evidenton gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të informacionit mbi tregun e punës dhe të mekanizmave për parashikimin e nevojave për aftësi në të dy vendet.
CultiVETing në praktikë: kërkim, kapacitete dhe partneritete
Koordinatori i projektit, Julian Francisco Juberias Olmos, nga Shoqata Evropiane e Institucioneve të Formimit Profesional (EVBB), prezantoi rezultatet kryesore dhe mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të CultiVETing. Ndër rezultatet kryesore të projektit janë: studimet mbi nevojat për aftësi dhe dy strategjitë kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën; zhvillimi i një programi trajnimi prej 50 orësh me pesë kurse; materiale mësimore për sipërmarrjen dhe aftësitë e gjelbra e digjitale; si dhe nxitja e dialogut, shkëmbim përvojash dhe mobilitete ndërkombëtare për nxënësit dhe profesionistët e AFP-së.
Përvojat nga terreni dhe lidhja e AFP-së me tregun e punës.
Sesioni “Zërat e CultiVETing” solli përvojat e nxënësve, mësuesve, organizatave pritëse dhe bizneseve, duke vënë në pah vlerën e mobiliteteve ndërkombëtare, Trajnimit të Trajnerëve dhe të nxënit praktik në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Në vijim, paneli “Nga klasa drejt karrierës: Çfarë pret sektori agro-ushqimor nga AFPja?” mblodhi përfaqësues të institucioneve të AFP-së, biznesit, institucioneve publike, rrjeteve të zhvillimit rural dhe universitetit. Diskutimi evidentoi nevojën për programe mësimore më të lidhura me tregun, më shumë praktikë profesionale, përfshirje aktive të bizneseve dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet arsimit profesional dhe sektorit agroushqimor.
Konferenca u mbyll me ndarjen e mesazheve kryesore të diskutimeve dhe me identifikimin e prioriteteve për vijimësinë e bashkëpunimit ndërmjet AFP-së dhe bizneseve, mbështetjen për sipërmarrjen, orientimin dhe këshillimin për karrierën, të nxënit praktik dhe zhvillimin e aftësive të gjelbra e digjitale.
CultiVETing ka krijuar një bazë të përbashkët njohurish, burimesh mësimore dhe përvojash bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të arsimit dhe formimit profesional dhe sektorit agro-ushqimor. Sfida përpara është t'i japim vijimësi punës së krijuar duke i kthyer rezultatet e projektit në praktika të qëndrueshme, partneritetet në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe aftësitë e fituara në mundësi konkrete për të rinjtë dhe zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.








