Këtë të enjte në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, u zhvillua dita e parë e takimit në kuadër të projektit “Environmental and Tourism Solution for the Shkodra Lake”, në bashkëpunim me AKZM-në dhe Universitetin e Barit.
Aktiviteti u hap me një fjalë përshëndetëse nga Prof. Dr. Elvin Toromani, Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore, drejtues nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe përfaqësues të Universitetit të Barit.
U prezantua një panoramë mbi projektin dhe objektivat e tij për menaxhimin e qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës.
Ekspertë nga Italia sollën praktikat më të mira të fitoteknologjisë dhe veprimet pilot për menaxhimin ekologjik të territorit. U diskutua gjithashtu mbi qëndrueshmërinë e aktiviteteve prodhuese në zonat e mbrojtura, duke sjellë si shembull raste konkrete nga zona të mbrojtura dhe praktika të ngjashme në Itali.
Sesioni u përmbyll me prezantimin e projektit “TO BE READY”, i fokusuar në ndërhyrje bioinxhinierike për zonat e prekura nga erozioni dhe paqëndrueshmëria hidro-gjeologjike.
Ky takim kontribuon në shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekosistemeve tona ujore.








