Workshop-i i dytë me temë "Monitorimi i rezistencës antimikrobike (AMR) në qasjen “Një Shëndet”, u zhvillua përgjatë Konferencës ICOALS 5, në të cilin u trajtuan sfidat dhe mundësitë në monitorimin e rezistencës antimikrobike (AMR) përmes qasjes së integruar “Një Shëndet”.
Punimet e workshop-it u drejtuan nga Zëvendës Rektorja për Projektet Shkencore dhe Inovacionin në UBT, Prof. Dr. Erinda Lika dhe Prof. Joan B. Rose, “Homer Nowlin Chair in Water Research” në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe Drejtoreshë e Water Alliance.
Në të morën pjesë ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushat e mikrobiologjisë, bioteknologjisë, shëndetit publik dhe inteligjencës artificiale, ku përmendim Siria Tavaniello, University of Molise, Italy; Edmond Nurellari, University of Lincoln, UK; Muhammad Zaman, Boston University, USA; Gerald Barry, University College Dublin, Ireland dhe Oltiana Petri, ISHP.
U prezantuan një sërë temash të avancuara kërkimore mbi mënyrën se si rezistenca ndaj antibiotikëve shfaqet, përhapet dhe mund të parandalohet përmes ndërhyrjeve inovative.
U diskutua për kultivimin mikrobiologjik të shtameve rezistente, për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në blegtori, sfidat shkencore dhe rregullatore të rezistencës në zinxhirin ushqimor, rolin e inteligjencës artificiale dhe modeleve “Digital Twins” në parashikimin e përhapjes së AMR, zgjidhjet bioinxhinierike në nivel molekular dhe qelizor për luftimin e këtij fenomeni global, monitorimi i ujërave të ndotura si sistem paralajmërimi të hershëm për zbulimin e sëmundjeve infektive dhe kontrollin e rezistencës antimikrobike, integrimi i qasjes One Health në monitorimin e AMR mund të ndihmojë në zhvillimin e politikave më efektive të shëndetit publik.




