Skip to Content

Workshop 1: Qendra e Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor

Në kuadër të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030 të Universitetit Bujqësor të Tiranës, u zhvillua Workshop-i “Qendra e Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor”.


Workshopi u drejtua nga Prof. Daniel Müller nga Universiteti Humbold i Berlinit, me pjesëmarrjen e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallakut dhe partnerëve Z. Stephan Framke, BMLEH Gjermani dhe Max Hoffman, Instituti Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion (IAMO).


Ai iu dedikua krijimit dhe funksionimit të Qendrës së Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësisë së bashkëpunimit rajonal e transferimit të njohurive në këtë fushë.


Ata diskutuan mbi regjistrimin zyrtar të Qendrës së Gjeoinformacionit si një platformë bashkëpunimi për monitorimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në rajon, prezantuan aktivitetet e arritjet kryesore të projektit dhe Geoportalin, një mjet inovativ që mundëson shkëmbimin e të dhënave gjeohapësinore mes vendeve pjesëmarrëse.


GEO-WB6- Ngritja e një Qendre Gjeoinformative për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Bujqësor të Tiranës është një projekt i realizuar në bashkëpunim me Institutin Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion në Halle (IAMO), Gjermani dhe i financuar nga Ministria Federale Gjermane e Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL), i cili deri më tani ka zhvilluar një cikël kursesh trajnimi, shkolla verore e aktivitete të ndryshme në Qendër.