Sesioni i dytë i Konferencës ICOALS 5 në Universitetin Bujqësor të Tiranës u fokusua në sfidat kryesore që lidhen me mjedisin dhe shëndetin publik, duke përfshirë lidhjet mes shkencës së kafshëve, sistemeve ushqimore, cilësisë së ujit dhe ndikimit të tyre në shëndetin dhe mirëqenien shoqërore.
E moderuar nga Prof. Erinda Lika, kjo seancë solli një sërë kumtesash shkencore nga profesorë ndërkombëtarë të njohur, të cilët ndanë përvojat dhe kërkimet më të fundit të tyre.
Në hapje, Prof. Joan B. Rose nga Michigan State University, SHBA, pati një referim me temë:
“Ndërtimi i një Programi për Cilësinë e Ujit dhe Shëndetin: Nga pellgu ujëmbledhës deri te kanalizimet”, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e burimeve ujore, nga origjina deri në përpunim, si mënyrë për të garantuar sigurinë shëndetësore të komuniteteve.
Pas tij, Prof. Guenter Langergraber nga BOKU, Austri prezantoi temën: “Monitoring i Cilësisë së Ujit në përputhje me Udhëzimin e BE-së për Ujin në Shqipëri”, duke theksuar nevojën për sisteme të avancuara monitorimi dhe standarde të integruara për mbrojtjen e resurseve ujore.
Prof. Lindsay C. Stringer nga University of York, Mbretëria e Bashkuar diskutoi rreth gatishmërisë shoqërore për kulturat e ushqimit të modifikuara gjenetikisht, duke ndarë njohuri të thelluara mbi perceptimin publik dhe sfidat etike në vendimmarrjen për inovacionin ushqimor.
Prof. Giuseppe Maiorano nga University of Molise, Itali prezantoi temën “Mishi i kultivuar në laborator: një zgjidhje e qëndrueshme për tryezat e së ardhmes”, duke analizuar potencialin e teknologjive të reja ushqimore për të reduktuar ndikimin ambiental dhe për të siguruar ushqim të qëndrueshëm.
Seanca përfundoi me prezantimin e Prof. Thomas Ertl nga BOKU, Austri, mbi projekti AMORE-AL në kontekstin e Legjislacionit të Ujit të BE-së, duke evidentuar rëndësinë e projektit për harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave lokale me standardet europiane.
Prof. Antonio Crovace nga University of Bari “Aldo Moro”, Itali paraqiti temën “Kafshët e mëdha si modele të mjekësisë translacionale”, duke shpjeguar rolin thelbësor që luajnë kafshët në zhvillimin e terapive të reja për njerëzit dhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre përmes kërkimeve të avancuara biologjike.
Në vijim, Prof. Qëndrim Zebeli nga University of Veterinary Medicine, Austri ndau eksperiencat e projektit READ në temën “Zbatimi i koncepteve të sigurisë ushqimore në zinxhirin ushqim-qumësht në Shqipëri”.
Seanca u mbyll me një prezantim me vlera të veçanta për zhvillimin e territorit shqiptar, mbajtur nga Prof. Fatmir Guri, Zv.Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëri, i cili solli të dhëna të reja për strukturën e hapësirave rurale dhe urbane në vend, si dhe implikimet që ato kanë për politikat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Ky sesion ofroi një platformë të rëndësishme për diskutime shkencore, shkëmbim të ideve dhe rrjetëzim ndërkombëtar, duke theksuar rolin kyç të bashkëpunimit ndërdisiplinor në zhvillimin e sistemeve ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.







