Skip to Content

UBT zhvillon Konferencën e 5-të Ndërkombëtare

Universiteti Bujqësor i Tiranës po mban sot Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030, një ngjarje madhore shkencore që bashkon personalitetet më të larta të vendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademike dhe ndërkombëtare, si dhe ekspertë e studiues nga e gjithë bota.

Një takim i shkëmbimit të dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit që lidh botën në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Pjesëmarrja e më shumë se 70 të ftuarve nga mbi 22 shtete të botës u përshëndet me mirënjohje nga Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës;  Prof. Gjokë Uldedaj, Rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi” dhe Prof. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 

Të nderuar të kishim praninë e tyre në një ditë të rëndësishme si kjo Sh.T. Z. Karl Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Germanisë; Sh. S. Znj. Monika Zach, Ambasadore e Republikës së Austrisë; Z. Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Sh. T. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Kjo konferencë është një tjetër hap në rrugëtimin e UBT-së si qendër lider e kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushat e bujqësisë, mjedisit, ushqimit dhe zhvillimit rural.

Konferenca do të trajtojë katër kapituj kyç të integrimit evropian, si bujqësia, siguria ushqimore, peshkimi dhe mjedisi, duke diskutuar përparimet shkencore dhe perspektivat politike që formësojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian 2030.

Programi i konferencës përfshin seanca plenare në nivel të lartë me folës nga Universiteti BOKU i Vjenës, Universiteti Humboldt, Universiteti i Bostonit, Michigan State University, Britania e Madhe, Italia, Irlanda, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kazakistani, FAO dhe UNIDO etj.