Universiteti Bujqësor i Tiranës u kthye këtë javë në një qendër të vërtetë inovacioni, ku 18 të rinj dhe profesionistë nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) u trajnuan në teknologjinë Remote Sensing dhe platformën Google Earth Engine. Trajnimi u zhvillua nga 17–21 Nëntor, në kuadër të projektit GEO-WB6, për Ngritjen e një Qendre Gjeoinformacioni për Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrësit – studentë, kërkues shkencorë dhe specialistë të administratës publike – patën mundësinë të mësojnë parimet themelorer te “Remote Sensing” që përdoret sot në: monitorimin e pyjeve, analizën e tokës bujqësore, monitorimin e ndryshimeve klimatike, planifikimin urban etj.
Kursi ndërthurte leksione teorike me ushtrime praktike, ku pjesëmarrësit punuan me imazhe satelitore, analizuan të dhënat dhe përdorën algoritme të machine learning për të krijuar harta të mbulesës së tokës. Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që punonin me një teknologji me të cilën sot operojnë agjencitë hapësinore dhe kompanitë më të mëdha të botës.
Në ditën e fundit, pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe prezantuan mini-projekte të krijuara gjatë trajnimit, një eksperiencë që i afroi me punën reale në fushën e gjeoinformacionit.Në përfundim, të gjithë u pajisën me çertifikata të lëshuara nga UBT dhe instituti gjerman IAMO, duke vërtetuar aftësitë e fituara.
Ky trajnim është një hap i rëndësishëm për UBT-në në drejtim të krijimit të një gjenerate të re ekspertësh që do të përdorin teknologjitë hapësinore për sfidat e së ardhmes.



