Skip to Content

UBT sesion informues mbi grantet kërkimore AADF–BMF për stafin akademik

13 korrik 2026 by
UBT sesion informues mbi grantet kërkimore AADF–BMF për stafin akademik
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës mbajti një sesion informues kushtuar programit të granteve kërkimore të financuara nga Albanian-American Development Foundation (AADF) në bashkëpunim me Butrint Management Foundation (BMF).

Aktiviteti synoi të informojë stafin akademik dhe kërkimor të UBT-së mbi mundësitë e financimit, kriteret e aplikimit dhe fushat prioritare të mbështetjes, duke nxitur përfshirjen e studiuesve të universitetit në projekte kërkimore me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e AADF prezantuan strukturën e programit, kushtet e aplikimit, afatet dhe procedurat, si edhe zhvilluan një diskutim të hapur me pjesëmarrësit për të sqaruar çështje që lidhen me përgatitjen e projekt-propozimeve.

Programi parashikon një fond prej 2.5 milionë lekësh për ekipet shqiptare, ndërsa bashkëpunëtorët nga diaspora financohen përmes një buxheti të veçantë. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 15 gusht 2026, ndërsa projektet do të kenë një periudhë zbatimi prej një viti.

Gjatë prezantimit u evidentua se UBT ka potencial të lartë për të aplikuar në disa prej fushave prioritare të programit, si hidrologjia dhe gjeologjia, bujqësia, menaxhimi i trashëgimisë kulturore dhe menaxhimi i vizitorëve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua prioriteteve kërkimore të identifikuara për zonën e Butrintit, ku përfshihen studimet mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në mjedis, monitorimi i indikatorëve biologjikë në Liqenin e Butrintit, studimet mbi likenet në monumentet kulturore, si edhe projektet që përdorin teknologjitë GIS për analizën dhe menaxhimin e të dhënave.

Në fushën e bujqësisë u theksua rëndësia e zhvillimit të projekteve që adresojnë monitorimin, parandalimin dhe kontrollin e insektit Planococcus citri (mielli i agrumeve), një problematikë që ka prekur zonën e Konispolit gjatë viteve të fundit dhe që konsiderohet një nga prioritetet e kësaj thirrjeje.

Po ashtu, në fushat e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe menaxhimit të vizitorëve u rekomandua angazhimi i Departamentit të Turizmit të UBT-së, si edhe bashkëpunimi me institucione të tjera akademike për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Linku i aplikimit dhe informacionit: https://www.iie.org/programs/research-expertise-from-the-academic-diaspora/apply/for-albanian-resident-scholars