Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të forcojë pozicionin e tij si një institucion lider në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke promovuar zhvillimin akademik të stafit dhe mbështetur kërkimin me ndikim në zhvillimin e sektorit agro-ushqimor dhe mjedisor.
Në këtë kuadër, gjatë muajit qershor, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit u zhvillua prezantimi publik i aktivitetit kërkimor-shkencor të Prof. Asoc. Dr. Edmond Hala, pedagog pranë Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, në kuadër të procedurës për fitimin e titullit akademik “Profesor”.
Gjatë prezantimit, Prof. Asoc. Dr. Hala paraqiti rezultatet e punës së tij disa vjeçare në fushën e akuakulturës dhe peshkimit, me fokus në kërkimet mbi biologjinë riprodhuese dhe menaxhimin e specieve detare me rëndësi ekonomike. Ndër studimet e prezantuara spikati kërkimi mbi maturimin riprodhues të peshkut meagre (Argyrosomus regius) në kafaze lundruese, i cili vlerëson nëse individët e prodhuar në hatchery dhe të rritur në kushte normale komerciale arrijnë maturimin gonadal dhe riprodhohen natyrshëm. Ky studim u realizua në bashkëpunim me laboratorin e Histologjisë të Departamentit të Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali, duke dëshmuar nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe cilësinë e kërkimit shkencor të zhvilluar në UBT.
Në vijim të angazhimit për zhvillimin e kërkimit shkencor, së fundmi në UBT u zhvillua edhe mbrojtja publike e tezës së doktoraturës me temë “Vlerësimi i përshtatshmërisë së tokave për kultivimin e drithërave dhe mekanizimin bujqësor duke përdorur analizën me shumë kritere bazuar në GIS”, nga MSc. Olsid Mema, nën udhëheqjen shkencore të Prof. Asoc. Dr. Etleva Jojiç.
Punimi trajton përdorimin e teknologjive moderne të Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe analizës me shumë kritere për identifikimin e zonave më të përshtatshme për kultivimin e drithërave dhe planifikimin e mekanizimit bujqësor. Gjatë mbrojtjes publike, puna kërkimore u vlerësua nga komisioni për cilësinë shkencore, qasjen inovative dhe përdorimin e metodave bashkëkohore të analizës hapësinore. Rezultatet e studimit u konsideruan një kontribut me vlerë si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë praktik, duke ofruar një bazë të rëndësishme për planifikimin e përdorimit të tokës, rritjen e efikasitetit të mekanizimit bujqësor dhe mbështetjen e vendimmarrjes në sektorin agro-ushqimor.










