Prof. Dr. Erinda Lika, Zëvendës Rektore për Projektet Shkencore dhe Inovacionin në Universitetin Bujqësor të Tiranës, mori pjesë në panelin “Nga lokale në globale”, gjatë Forumit të 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, i zhvilluar në ambientet e UBT-së.
Paneli i të ftuarëve diskutoi mbi forcimin e përputhshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe rëndësinë e ndërkombëtarizimit të produkteve shqiptare.
Në fjalën e saj, Prof. Lika evidentoi rëndësinë e Masterit të ri mbi cilësinë dhe standardet në sektorin agroushqimor, duke nënvizuar rolin kyç të Universitetit Bujqësor në ofrimin e edukimit të avancuar dhe cilësor:
“Çdo gjë nis nga edukimi, dhe ne jemi një subjekt i vazhdueshëm i edukimit cilësor. Hapja e Masterit në drejtim të cilësisë dhe standardeve në sektorin agroushqimor u arrit pas një analize të detajuar nga stafi i UBT, falë edhe mbështetjes së pakushtëzuar nga UNIDO. Ky program është pjesë e reformës së ndërmarrë mes UBT-së dhe Universitetit BOKU të Vjenës, duke finalizuar një strukturë të rëndësishme për nevojat që tregu jonë ka sot për cilësi dhe standarde.
Shumë punonjës të sektorit, përveç fermerëve, kanë nevojë të aftësohen më tej, dhe ky Master lind nga kjo nevojë. Shqipëria ka një sfidë të madhe për t’u bërë pjesë e kapitujve të negociatave me BE-në, dhe cilësia dhe standardet janë pika kyçe për suksesin. Ku më mirë se në këtë Universitet mund të merren njohuri të avancuara që do të formojnë profesionistë të kualifikuar sipas standardeve europiane, duke kontribuar drejt synimit të përbashkët ‘Shqipëria 2030’.”
Ky forum dhe iniciativa për zhvillimin e programit Master tregojnë angazhimin e UBT-së për të ofruar edukim cilësor dhe për të mbështetur zhvillimin e sektorit agroushqimor shqiptar në përputhje me standardet ndërkombëtare.




