Skip to Content

UBT prezanton rezultatet e projektit kërkimor mbi rolin e inovacionit në agroturizëm dhe fermat bujqësore

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt një aktivitet për projektin kërkimor “Hulumtimi dhe vlerësimi i rolit të inovacionit në performancën e sipërmarrjeve agroturistike dhe fermave bujqësore”, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në bashkëpunim me UBT dhe Sipërmarrjen agroturistike “Fustanella Shpk”, me fokus ekzaminimin dhe vlerësimin e rolit të inovacionit, në performancën e sipërmarrjeve agroturistike dhe fermave bujqësore në vendin tonë.

Të pranishëm nga UBT në këtë aktivitet ishin Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Remzi Keco, Prof. Asoc. Dr. Ilir Tomorri të cilët prezantuan dhe vlerësuan rëndësinë e projekteve kërkimore të orientuara drejt nevojave reale të sektorit dhe rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një qendër reference për zhvillimin e dijes, inovacionit dhe politikëbërjes në bujqësi dhe agroturizëm.

Projekti u inicua duke pasur në konsideratë sfidat me të cilat përballet zhvillimi i sektorit rural në vendin tonë.

Takimi mblodhi pedagogë, studiues, përfaqësues të sipërmarrjeve agroturistike, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi rëndësinë e inovacionit për rritjen e konkurrueshmërisë, produktivitetit dhe qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe agroturistik. Të dhënat e prezantuara u bazuan në një studim të gjerë, me 672 pyetësorë të plotësuar në rang kombëtar, të shpërndarë sipas qarqeve dhe profileve demografike të intervistuarve.

Gjatë aktivitetit u theksua se inovacioni – në forma të ndryshme si praktikat e reja të menaxhimit, teknologjitë digjitale, diversifikimi i shërbimeve dhe modelet e reja të biznesit – ka një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën ekonomike dhe operacionale të fermave dhe sipërmarrjeve agroturistike. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe identifikimit të barrierave që pengojnë adoptimin e inovacionit, si mungesa e financimit, kapacitetet e kufizuara menaxheriale dhe nevoja për më shumë mbështetje institucionale.

Sektori rural, është një nga sektorët më të rëndësishëm në vendin tonë, sa i përket kontributit në produktin e brendshëm bruto, nivelit të punësimit dhe mirëqenies së popullsisë që jeton në zonat rurale. Zhvillimi dhe rritja ekonomike e vendit, është e lidhur ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural, përfshirë sektorin bujqësor dhe sektorin e agroturizmit.

Ky projekt u hartua dhe zbatua duke marrë në konsideratë sfidat kryesore të zhvillimit rural në vend, si fragmentarizimi i tokës, madhësia e vogël e fermave, rritja e produktivitetit, aksesit në financim, migrimi nga zonat rurale, përdorimi i ulët i teknologjive dixhitale dhe pasiguria e investimeve. Një rol kyç në adresimin e këtyre sfidave ka adoptimi dhe zbatimi i inovacionit nga fermat bujqësore dhe sipërmarrjet agroturistike.