Skip to Content

UBT prezanton programet e studimit për maturantët e Shkollës “Aleks Buda” në Tiranë

Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpriti në ambientet e tij maturantë të Shkollës “Aleks Buda” nga Tirana, në një aktivitet informues dhe orientues mbi programet e studimit që ofron universiteti. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të nismës së UBT-së për të prezantuar ofertën akademike tek maturantët të cilët ndodhen përpara një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës së tyre: zgjedhjes së drejtimit të studimit.

Prezantimet u realizuan nga përfaqësuesit e pesë fakulteteve të UBT-së: Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Fakulteti i Shkencave Pyjore dhe Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Secili fakultet prezantoi programet përkatëse të studimit, mundësitë për praktikë profesionale, laboratorët bashkëkohorë, si dhe perspektivat e punësimit që ofrohen për studentët pas diplomimit.

Gjatë takimit, maturantët u njohën nga afër me ofertën akademike të larmishme dhe me zhvillimet më të fundit të universitetit në fushën e ndërkombëtarizimit.

Një theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimeve ndërkombëtare, përfshirë partneritetin strategjik me University of Natural Resources and Life Sciences, Vienna (BOKU), i cili ka sjellë programe të përbashkëta studimi, shkëmbime akademike dhe standarde europiane në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të UBT-së dhe rritjes së cilësisë akademike.

UBT prej disa kohësh tashmë ka intensifikuar prezantimet informuese me shkollat e mesme, me qëllim orientimin sa më të qartë të të rinjve drejt fushave prioritare për zhvillimin e vendit.