Universiteti Bujqësor i Tiranës përzgjidhet si organizator i konferencës së radhës së CASEE (Shoqata e Universiteteve të Europës Jugore dhe Lindore)
Kënaqësi të merrnim pjesë dhe prezantonim UBT në takimin e Bordit dhe Konferencën e 15-të të CASEE (Central and South Eastern Europe), organizuar nga Universiteti i Novi Sadit, Serbi, me temë: "Tranzicionet e Gjelbra në Bujqësi, Pyje, Mjekësi Veterinare dhe Sistemet Ushqimore në një Klimë në Ndryshim".
CASEE përfaqëson organizatën më të rëndësishme të universiteteve të shkencës së jetës në Europën Jugore dhe Lindore nën ombrellën e ICA (Shoqata për Universitetet Evropiane të Shkencave të Jetës), ku UBT është anëtar së bashku me një rrjet prej më shumë se 50 universitetesh nga BE-ja dhe vendet e tjera të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, EHEA.
Në takimet e organizuara me Rektorë të Universiteteve partnere dhe veçanërisht me Rektoren e BOKU, Prof. Eva Schulev-Steindl, u diskutua mbi zhvillimet dhe progresin aktual të reformës që UBT po zbaton nën drejtimin e BOKU, ku u konfirmua angazhimi i saj dhe stafit të këtij Universiteti në implementimin e aktiviteteve të ndryshme të projektit UBT-BOKU 2030.
Lajmi i mirë për stafin akademik të UBT, si dhe për të gjithë partnerët e këtij Universiteti, është fakti që Universiteti Bujqësor i Tiranës u përzgjodh si vendi pritës i takimit të radhës dhe konferencës së 16-të të CASEE, që do të organizohet gjatë periudhës 13-15 Maj 2026 në Shqipëri.
Përzgjedhja e UBT si vend organizator i takimit më të rëndësishëm të kësaj shoqate, konfirmon edhe një herë vlerat dhe rëndësinë që ky Institucion i Arsimit të Lartë në Shqipëri po demonstron çdo ditë, falë reformës së nisur në bashkëpunim dhe mbështetje të drejtpërdrejtë të Universitetit BOKU të Vjenës, Austri.