Universiteti Bujqësor i Tiranës shënoi një moment historik duke marrë pjesë për herë të parë dhe përfaqësuar Shqipërinë në 11th Ministerial Conference of the Least Developed Countries & 21st UNIDO General Conference, të zhvilluar në Riyadh, Arabia Saudite (22–27 Nëntor 2025). Kjo pjesëmarrje nuk është rastësi, ajo është fryt i reformës së thellë dhe vizionare të nisur nga UBT në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, e cila ka transformuar mënyrën se si arsimi lidhet me industrinë, biznesin privat dhe përgatit të rinjtë për tregun e punës.
Në këtë samit, ku morën pjesë përfaqësues nga mbi 172 vende, Rektori i UBT, Prof. Fatbardh Sallaku, përfaqësoi universitetin në një panel ndërkombëtar me drejtues të industrisë globale, përfshirë Presidentin e Kompanise Boeing dhe Siemens, Presidentin e qytetit Mbretëror Abdulaziz për Shkencë dhe Teknologji, duke diskutuar mbi rëndësinë e lidhjes së edukimit me sektorin privat dhe mënyrën se si kjo mund të fuqizojë të rinjtë dhe inovacionin.
Prof. Sallaku theksoi se reformat e nisura në UBT, sidomos ato të bashkëpunimit me BOKU, janë histori suksesi. Fokus i këtyre reformave është ofrimi i programeve mësimore më praktike, që lidhen direkt me nevojat reale të biznesit dhe tregut të punës. Një shembull i kësaj reforme dhe i mbeshtetur fort nga UNIDO është programi “Master në Sistemet e Cilësisë dhe Standardeve”, një fushë e re me perspektiva të jashtëzakonshme për të rinjtë dhe për biznesin shqiptar, sidomos në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe kërkesave për cilësi dhe standarde të larta në prodhimet bujqësore.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë samit nuk është vetëm një prezencë simbolike. Ajo tregon se universiteti shqiptar është tashmë një aktor rajonal dhe global, një partner strategjik dhe një shembull se si reformat e guximshme dhe bashkëpunimet ndërkombëtare mund të krijojnë rezultate konkrete dhe të prekshme.
Ndërsa industritë po transformohen përmes digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër, kërkesa për aftësi të përshtatshme për të ardhmen po rritet vazhdimisht. Sistemet arsimore, të vetme, nuk mund t’i përmbushin këto nevoja në zhvillim, gjë që e bën bashkëpunimin mes universiteteve dhe industrisë thelbësor. Këto partneritete nxisin inovacionin, sipërmarrjen dhe punësimin, prioritete kyçe për UBT në reformën e nisur për transforimimin e tij. Duke lidhur mësimin dhe kërkimin me zbatimin industrial dhe biznesin privat, universitetet mund të përshtatin më mirë aftësitë me kërkesat e tregut. Vizioni UBT-BOKU 2030 ofron një shembull të fortë se si bashkëpunimi dhe fokusi tek prakticiteti dhe lidhja me biznesin privat mund të fuqizojë të rinjtë dhe të mbështesë misionin më të gjerë të arsimit të lartë në vend për ndërtimin e ekonomive elastike dhe të orientuara drejt inovacionit.
Kjo pjesëmarrje në këtë Samit global tregon se UBT nuk po ndjek trendin, por po e krijon atë. Përmes reformave të tij, universiteti po forcon lidhjen mes edukimit, industrisë dhe agrobiznesit, po përgatit të rinjtë për sfidat e së ardhmes, dhe po udhëheq ndryshimin në arsimin e lartë në Shqipëri. Pjesëmarrja në samitin e UNIDO-s është dëshmi e qartë se vizioni, puna dhe reforma e UBT-së janë të vlerësuara dhe të respektuara në nivel global.
Ky sukses është një thirrje për të ardhmen, ku arsimi, industria dhe biznesi privat punojnë së bashku për të krijuar një Shqipëri më të fuqishme dhe të përgatitur për BE-në dhe ekonominë globale.




