Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvillua dita e parë e Konferencës së 16-të të rrjetit ndërkombëtar CASEE, me temë “Next Stop Europe: Shaping the Future of Agriculture and Life Sciences Education”, një aktivitet që mblodhi akademikë, ekspertë, përfaqësues institucionesh dhe politikëbërës nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.
Universiteti Bujqësor i Tiranës, si universitet organizator i kësaj konference ndërkombëtare, mirëpriti pjesëmarrësit dhe partnerët akademikë në një nga aktivitetet më të rëndësishme rajonale në fushën e edukimit dhe shkencave të jetës.
Konferenca u hap zyrtarisht me fjalët përshëndetëse të Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Presidentit të CASEE Prof. Florin Stanica, përfaqësuesve të FAO-s, CIHEAM, AICS, BOKU University dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Moderimi i ceremonisë së hapjes u realizua nga Drejtoresha për Komunikim dhe PR në UBT, Besmira Pelushaj.
Në fokus të ditës së parë ishte tema “Nga politikat tek praktika: avancimi i rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian në bujqësi dhe mjedis dhe roli i arsimit të lartë”, ku u diskutua mbi sfidat dhe reformat që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë në sektorët e bujqësisë, mjedisit, ujërave, peshkimit dhe zhvillimit rural.
Sesioni i parë u moderua nga Prof. Dr. Myqerem Tafaj dhe mblodhi ekspertë e përfaqësues institucionesh europiane dhe shqiptare. Zv. Ministri i Bujqësisë dhe profesor në UBT, Fatmir Guri, prezantoi zhvillimet e sektorit bujqësor shqiptar në kontekstin e negociatave për anëtarësim në BE. Andrea Ferrero nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri foli mbi reformat dhe perspektivën europiane të bujqësisë shqiptare, ndërsa Hans Kordik prezantoi prioritetet reformuese për bujqësinë shqiptare në rrugën drejt integrimit europian. Debora Bonucci, drejtuese e projektit EU4Rivers, trajtoi rolin e reformimit të sektorit të ujit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në sesionin e dytë, të moderuar nga Prof. Hans-Peter Kaul nga BOKU University, u trajtuan tema që lidhen me politikat europiane për peshkimin, menaxhimin e ujërave dhe të ardhmen e arsimit të lartë. Ekspertja Mirta Novak prezantoi kërkesat dhe mundësitë që sjell Politika e Përbashkët Europiane e Peshkimit për Shqipërinë. Prof. Guido Zolezzi nga Universiteti i Trentos foli mbi menaxhimin e integruar të ujërave dhe sedimenteve në Shqipëri në përputhje me direktivat europiane për ujërat dhe përmbytjet. Ndërkohë, Prof. Dr. Hubert Hasenauer nga BOKU University prezantoi prioritetet strategjike të projektit UBT2030 dhe vizionin për të ardhmen e arsimit të lartë në fushën e shkencave të jetës dhe bujqësisë.
Konferenca CASEE 2026 po shërben si një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për shkëmbimin e ideve, forcimin e bashkëpunimit akademik dhe promovimin e rolit të Universitetit Bujqësor të Tiranës në transformimin europian të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.






















