Përgjatë gjithë muajit qershor, Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi një seri workshop-esh intensive, të organizuara pothuajse çdo ditë, në kuadër të procesit të sigurimit të cilësissë në implementimin e programeve të reja, në kuadër të reformimit të ofertës akademike UBT-BOKU 2030, për vitin e ri akademik.
Workshop-et u organizuan nga Zv Rektori për mësimin Prof. Dr. Ilir Kapaj, Drejtoria e Vlerësimit të Brendshëm dhe Sigurimit të Cilësisë në UBT (DVBSC) dhe koordinatorët e programeve të studimit. Gjatë këtij procesi u organizuan 30 workshop-e për të gjitha programet e reja të studimit që UBT do të ofrojë për vitin akademik 2026-2027 e në vazhdim. Në analizë u përfshinë 12 programe të ciklit të parë Bachelor, 16 programe të ciklit të dytë Master i Shkencave, 1 (një) program studimi Master Ekzekutiv dhe 1 (një) programin e integruar i ciklit të dytë Mjekësisë Veterinare, duke përfaqësuar të gjithë ofertën akademike të universitetit.
Ky proces përbën një nga etapat më të rëndësishme të transformimit të ofertës akademike të UBT-së, e cila është riformatuar tërësisht në bashkëpunim dhe nën supervizimin akademik të BOKU University (University of Natural Resources and Life Sciences, Vienna). Përmes këtij partneriteti strategjik, universiteti ka harmonizuar programet e studimit me standardet më të mira evropiane, duke ndërtuar një ofertë akademike moderne, të orientuar drejt cilësisë, ndërkombëtarizimit dhe kërkesave të tregut të punës.
Në workshop-e morën pjesë, dekanë, përgjegjës departamentesh, koordinatorët e programeve të studimit dhe i gjithë stafi akademik i angazhuar në mësimdhënie. Gjatë seancave të punës u diskutuan në mënyrë të detajuar kurrikulat, modulet, përmbajtja e moduleve, rezultatet e pritshme të të nxënit, format e vlerësimit, metodologjia e mësimdhënies dhe përputhshmëria e tyre me zhvillimet më të fundit akademike, shkencore dhe profesionale.
Një pjesë qendrore e procesit ishte prezantimi i secilit modul nga pedagogu përgjegjës. Çdo pedagog argumentoi përmbajtjen e modulit, objektivat, kompetencat që synohen të zhvillohen te studentët, metodologjinë e mësimdhënies dhe format e vlerësimit, si edhe eksperiencën akademike, kërkimore dhe profesionale që e bën atë të aftë dhe me kompetencat e duhura për zhvillimin e modulit përkatës.
Workshop-et u ndoqën dhe u vlerësuan gjatë gjithë zhvillimit të tyre nga Zëvendësrektori për Mësimin në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Ilir Kapaj, i cili kontribuoi me sugjerime, komente dhe ekspertizën e tij për përmirësimin e përmbajtjes së moduleve, strukturës së moduleve dhe organizimit të programeve të studimit, në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit të lartë.
Gjatë diskutimeve u analizuan gjithashtu elementët inovativë që do të integrohen në programet e studimit, duke përfshirë mësimdhënien e bazuar në kërkim shkencor, bashkëpunimin me industrinë, përdorimin e rasteve reale të studimit, perspektivën ndërkombëtare, mjetet digjitale të mësimdhënies dhe mësimin e bazuar në projekte. Paralelisht, u diskutuan edhe kërkesat specifike të çdo moduli për laboratorë, pajisje, literaturë, asistentë mësimorë, lektorë të ftuar dhe aktivitete praktike në terren, me synimin për të garantuar një përvojë studimi sa më cilësore dhe të orientuar drejt praktikës.
Pjesë e rëndësishme e workshop-eve ishte edhe shqyrtimi i planeve mësimore për secilin modul, rezultateve të pritshme të të nxënit dhe metodologjive të mësimdhënies, duke siguruar që çdo modul të jetë në përputhje me kompetencat që kërkohen nga profesionet e së ardhmes dhe me filozofinë e re të programeve të studimit të UBT-së.
Procesi i rishikimit të programeve u karakterizua nga diskutime të hapura dhe profesionale mes stafit akademik, koordiantorëve të programeve dhe përfaqësuesve të rektoratit, ku çdo propozim u analizua në funksion të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe përafrimit të programeve me standardet evropiane të arsimit të lartë. Përmes këtij angazhimi të gjerë institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me BOKU University, Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon modernizimin e ofertës së tij akademike, duke u ofruar studentëve programe studimi bashkëkohore, ndërkombëtarisht të krahasueshme dhe të orientuara drejt kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

















