Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit (FMB), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, menaxhimit të qëndrueshëm dhe formimit profesional të studentëve.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Drejtoresha e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, znj. Jorida Muho. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu edhe Prof.Dr. Endrit Kullaj, si dhe Dekani i Fakultetit të Pyjeve, Prof.Dr. Elvin Toromani.
Marrëveshja synon të krijojë një kornizë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, duke përfshirë mbështetjen e praktikave profesionale për studentët e UBT-së në Parkun Kombëtar të Butrintit, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore, si dhe shkëmbimin e ekspertizës në fusha të lidhura me biodiversitetin, monitorimin ekologjik dhe menaxhimin e qëndrueshëm të territorit.
Një ndër komponentët kryesorë të kësaj marrëveshjeje është angazhimi për hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, si dhe përfshirja aktive e studentëve dhe stafit akademik në programe monitorimi dhe analiza shkencore.
Gjithashtu, palët do të bashkëpunojnë në organizimin e trajnimeve, seminareve dhe aktiviteteve informuese që lidhen me zhvillimin e karrierës dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.
Kjo marrëveshje vjen në kuadër të përpjekjeve të UBT-së për të forcuar lidhjet me institucionet kyçe në vend dhe për të ofruar mundësi konkrete për studentët dhe stafin akademik, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.





