Universiteti Bujqësor i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje kuadër bashkëpunimi me Fondacionin për Kërkim, Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në Bujqësinë Piemonteze (AGRION), një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimit dhe inovacionit agro-ushqimor në Itali.
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Presidenti i Fondacionit AGRION, Dr. Giacomo Ballari, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të UBT-së në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin agro-mjedisor.
Kjo marrëveshje synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe inovative në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë bujqësinë, mjedisin, burimet natyrore, mjekësinë veterinare, ekonominë bujqësore, zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.
Bashkëpunimi do të fokusohet gjithashtu në transferimin e teknologjisë, promovimin e praktikave të qëndrueshme agro-ushqimore dhe rritjen e cilësisë së prodhimit bujqësor.
Një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit do të jetë edhe ofrimi i shërbimeve profesionale dhe konsulencës për institucione publike dhe sektorin privat, duke nxitur inovacionin dhe aplikimin praktik të rezultateve shkencore.
Ky partneritet i ri forcon më tej rolin dhe pozicionin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një institucion akademik i orientuar drejt ndërkombëtarizimit, kërkimit të aplikuar dhe inovacionit.





