Universiteti Bujqësor i Tiranës është renditur zyrtarisht në vendin #137 në Rankimin e Universiteteve të Evropës Jugore për vitin 2025, sipas QS Rankings, duke shënuar një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë shqiptar. Ky vlerësim pasqyron forcën akademike të institucionit, cilësinë e kërkimit shkencor dhe kontributin e vazhdueshëm që UBT jep në fushat e bujqësisë, shkencave të mjedisit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
UBT renditet në grupin #601+ në QS Europe University Rankings 2025, duke konfirmuar pozicionimin e tij në hapësirën akademike të kontinentit. Paralelisht, renditje të tjera ndërkombëtare si Webometrics 2025 e pozicionojnë UBT-në në vendin #4516 në nivel global dhe #1144 në rang kontinental, duke reflektuar praninë dhe ndikimin e tij akademik në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar.
Këto renditje pasqyrojnë cilësinë e lartë të programeve akademike që ofron universiteti, përkushtimin ndaj kërkimit shkencor dhe inovacionit, si edhe rolin themelor të UBT-së në formimin e ekspertëve të së ardhmes në sektorin bujqësor dhe në shkencat e jetës.
Ky sukses është fryt i punës së përbashkët të studentëve, pedagogëve, alumnive dhe stafit akademik e administrativ, të cilët me angazhimin e tyre të përditshëm kanë kontribuar në forcimin dhe rritjen e profilit të Universitetit Bujqësor të Tiranës në nivel rajonal dhe evropian.
Në këtë rrugëtim drejt konsolidimit evropian, UBT ka ndërmarrë një hap strategjik përmes bashkëpunimit me Universitin e BOKU, duke zhvilluar programe studimi të hartuara sipas standardeve akademike evropiane.