Skip to Content

UBT nderon gazetaren Edlira Birko dhe Prof. Dr. Flutura Kalemin

Ishte një kënaqësi e veçantë për Universitetin Bujqësor të Tiranës të nderonte sot dy personalitete të spikatura, të cilat përmes punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të tyre kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën akademike, mediatike dhe shoqërore të vendit. Në një ceremoni të posaçme me pjesëmarrjen e Senatit Akademik, UBT i akordoi Certifikatën e Mirënjohjes gazetares dhe studiueses së njohur Edlira Birko, ndërsa Prof. Dr. Flutura Kalemi u nderua me titullin e lartë “Profesor Emeritus”.

Ceremonia u hap nga Zv/Rektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, e cila prezantoi figurën dhe veprimtarinë e znj. Edlira Birko, duke vlerësuar kontributin e saj shumëvjeçar në gazetarinë shqiptare dhe veçanërisht rolin e saj në promovimin e arsimit, shkencës dhe dijes përmes mediave publike. Ajo theksoi se gjatë karrierës së saj, Edlira Birko ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj informimit cilësor dhe edukimit të publikut.

Më pas, Prof. Dr. Ardian Maçi mbajti një fjalë vlerësuese, ku ndau me të pranishmit vlerësimin e tij për figurën e gazetares Edlira Birko dhe kontributin e saj në pasqyrimin e zhvillimeve në arsimin shqiptar. Ai theksoi se media dhe universiteti kanë një mision të përbashkët në shërbim të dijes dhe se personalitete si Edlira Birko kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e urave të komunikimit ndërmjet institucioneve akademike dhe publikut.

Në vijim, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku vlerësoi kontributin e dy zonjave të nderuara nga universiteti. Ai theksoi se UBT ka pasur privilegjin të bashkëpunojë ndër vite me znj. Edlira Birko, e cila përmes emisionit “Auditor Arsimi” në RTSH, që drejton prej më shumë se 20 vitesh, ka promovuar në mënyrë të vazhdueshme arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe arritjet e universiteteve shqiptare.

Duke marrë fjalën pas marrjes së vlerësimit, znj. Edlira Birko shprehu mirënjohjen e saj për këtë nderim nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ajo ndau me të pranishmit momente emocionale nga rrugëtimi i saj profesional, duke theksuar rëndësinë e medias në promovimin e dijes dhe edukimit, si dhe rolin që institucionet akademike luajnë në zhvillimin e vendit.

Në pjesën e dytë të ceremonisë, Prof. Dr. Erinda Lika prezantoi veprimtarinë akademike dhe shkencore të Prof. Dr. Flutura Kalemit, duke evidentuar kontributin e saj shumëvjeçar në arsimin e lartë shqiptar, në kërkimin shkencor dhe në zhvillimin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit.

Fjalë vlerësimi mbajti gjithashtu Prof. As. Skënder Uku, Shef i Departamentit të Financës në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, i cili vuri në dukje kontributin e Prof. Kalemit në jetën akademike të fakultetit dhe ndikimin e saj në edukimin dhe frymëzimin e studentëve dhe kolegëve.

Përshëndetjen institucionale e mbajti Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keço, i cili theksoi se Prof. Dr. Flutura Kalemi ka qenë për shumë vite pjesë e pandashme e këtij fakulteti, duke kontribuar në ngritjen e standardeve akademike, në zhvillimin e programeve të studimit dhe në forcimin e kulturës universitare.

Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku vlerësoi lart kontributin dhe modelin e Prof.Dr. Flutura Kalemit dhe i akordoi asaj titullin “Profesor Emeritus”, si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm në arsimin universitar, kërkimin shkencor dhe jetën akademike. Duke marrë këtë titull, Prof. Kalemi shprehu falënderimet e saj për universitetin, kolegët dhe studentët me të cilët ka ndarë një rrugëtim të gjatë profesional.