Skip to Content

UBT mirëpret entomologun amerikan Dr. Vinton Thompson

3 korrik 2026 by
UBT mirëpret entomologun amerikan Dr. Vinton Thompson
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës, përmes Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, në bashkëpunim me Institutin e Burimeve Gjenetike të Bimëve, mirëpriti në një leksion të hapur Dr. Vinton Thompson, entomolog në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në Nju Jork, SHBA. Leksioni u fokusua te insektet vektorë dhe roli i tyre në përhapjen e Xylella fastidiosa, një nga bakteret fitopatogjene më të rrezikshme në botë, që prek kultura strategjike si ulliri dhe hardhia.

Megjithëse Xylella fastidiosa është e pranishme në disa rajone të Shteteve të Bashkuara dhe ka shkaktuar epidemi të mëdha në Evropë, veçanërisht në rajonin e Pulias në Itali, është e rëndësishme të theksohet se ky patogjen nuk është raportuar deri më sot në vendin tonë, edhe pse insektet që shërbejnë si vektorë të tij janë të pranishëm në Shqipëri prej shumë vitesh.

Dr. Thompson ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Harvardit dhe doktoraturën në Universitetin e Çikagos. Kërkimi i tij shkencor fokusohet te cikadelat e njohura si sharpshooter leafhoppers (familja Cicadellidae), dëmtues të rëndësishëm në bujqësi që njëkohësisht shërbejnë si vektorë të bakterit Xylella fastidiosa. Më herët gjatë këtij viti, ai botoi librin e parë gjithëpërfshirës kushtuar këtyre insekteve, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në kërkimin entomologjik dhe bujqësor.

Leksioni i tij, me titull "Sharpshooter Leafhoppers and Xylella fastidiosa: Lessons from the Americas and the Mediterranean" ("Cikadelat Sharpshooter dhe Xylella fastidiosa: Mësime nga Amerika dhe Mesdheu"), ofroi njohuri të vlefshme mbi biologjinë e insekteve vektorë, epidemiologjinë e sëmundjes, si edhe përvojat ndërkombëtare në monitorimin dhe menaxhimin e këtij patogjeni me rëndësi të madhe ekonomike për bujqësinë.