Skip to Content

UBT mikpret Forumin e 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet

Në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës u zhvillua Forumi i 3-të Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet dhe Kongresi i 5-të i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), një ngjarje që bashkoi prodhues, shoqata, institucione publike dhe partnerë ndërkombëtarë me një qëllim të përbashkët: ta kthejnë cilësinë e produkteve shqiptare në motor të rritjes, konkurrueshmërisë dhe besueshmërisë në tregun vendas dhe atë evropian.

Forumi, i organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, shënoi një moment të rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve që ndajnë vizionin për ngritjen e një sistemi kombëtar të cilësisë të qëndrueshëm dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.

Në aktivitet morën pjesë dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, Kryetari i KASH, Agim Rrapaj, si dhe Koordinatorja Kombëtare e UNIDO dhe GQSP në Shqipëri, Elvana Zhezha.

Ky forum dëshmoi se pronësia e përbashkët dhe angazhimi i të gjithë aktorëve, nga prodhuesit dhe bizneset deri te institucionet arsimore dhe partnerët ndërkombëtarë janë thelbësore për ruajtjen e progresit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të agrobiznesit shqiptar. Fermerët vendas ishin gjithashtu pjesë aktive e forumit, duke ndarë përvoja, sfida dhe ide konkrete për përmirësimin e cilësisë së prodhimeve shqiptare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet evropiane.