Skip to Content

UBT forcon rolin e të rinjve në kërkimin shkencor për cilësinë e ujit!

Në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës u zhvillua workshop-i me temë “Young Science – AMORE-AL Project”, një aktivitet shkencor kushtuar cilësisë së ujit, monitorimit dhe modelimit të ndotjes sipas standardeve të Bashkimit Evropian për Direktivën Kuadër të Ujit (EU-WFD).


Në hapje të aktivitetit përshëndetën Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Drejtuesi i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Prof. Dr. Seit Shallari, të cilët theksuan rëndësinë që ka ruajtja e cilësisë së ujit për mjedisin, shëndetin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.


Një nga momentet kryesore të workshop-it ishte prezantimi i Prof. Dr. Thomas Ertl nga Universiteti BOKU në Vjenë, i cili ndau me pjesëmarrësit eksperiencën austriake në “Surface Water Bodies Quality Assessment and EU-WFD Framework”. Ai solli shembuj konkretë mbi mënyrën se si vendet e BE-së monitorojnë, modelojnë dhe përmirësojnë cilësinë e ujërave sipërfaqësore.


Pjesë e programit ishin edhe doktorantët e UBT-së, PhD Fatos Huqi, Vjola Bakillari dhe Xhuljo Sema, të cilët prezantuan studimin e tyre mbi menaxhimin e burimeve ujore dhe ndotjen në lumin Ishëm, përfshirë metodologjinë e kampionimit, monitorimin e ndotjes dhe përdorimin e modelit MORE për vlerësimin e burimeve ndotëse.


Nën moderimin e Prof. Asc. Eugen Skura, u zhvilluan gjithashtu diskutime të hapura dhe punë në grupe mbi legjislacionin mjedisor, burimet e ndotjes, sigurinë ushqimore dhe mjedisore, ku studentët dhe kërkuesit e rinj ndanë ide dhe zgjidhje për përmirësimin e situatës në Shqipëri.


Ky workshop u zhvillua në kuadër të projektit AMORE-AL – Assessment of Pollutant Emissions to support River Basin Management in Albania according to the EU Water Framework Directive, një bashkëpunim mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU në Vjenë.


Qëllimi i workshop-it është të rrisë njohuritë praktike të doktorantëve për teknikat e kampionimit dhe sigurinë laboratorike, si dhe të nxisë angazhimin e të rinjve në kërkimin shkencor për ndotjen e ujit.


Ky takim konfirmoi edhe njëherë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme kërkimore në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe përgatitjen e brezit të ri të inxhinierëve të mjedisit dhe bujqësisë për sfidat e ardhshme.


Programi AMORE-AL është pjesë e Programit APPEAR (Program i Partneritetit Austriak për Zhvillim në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor), i financuar nga Austrian Development Cooperation.