Skip to Content

UBT forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e Shëndetit të Kafshëve dhe Sigurisë Ushqimore me Universitetin e Barit

Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpriti më 10–11 mars 2026 një aktivitet të rëndësishëm akademik në kuadër të ndërkombëtarizimit, duke bashkëpunuar me Departamentin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Barit “Aldo Moro” (DiMeV UNIBA). Aktiviteti u zhvillua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në UBT dhe përbënte sesionin përmbyllës të ciklit të seminareve “Advanced Skills Course in Animal Health and Food Safety”. 

Ky kurs i avancuar kishte në fokus forcimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike në fusha kyçe si sëmundjet infektive emergjente të kafshëve, zoonozat, ndotja detare, higjiena dhe siguria e ushqimeve me origjinë shtazore, rezistenca antimikrobike si dhe qasjet e ekonomisë rrethore në sektorin agro-ushqimor. Përmes këtij bashkëpunimi, studentët dhe stafi akademik i UBT patën mundësinë të përfitojnë nga ekspertiza ndërkombëtare dhe të shkëmbejnë njohuri mbi sfidat aktuale të shëndetit publik dhe veterinar. 

Seminari ishte pjesë e projektit ndërkombëtar TNE HEALTH CONNECT (“Health Education and Advanced Learning Through Collaboration, Opportunities, Networking, and Educational Connections in Balkans and Asian Countries”), i financuar nga Ministria Italiane e Universitetit dhe Kërkimit. 

Ky projekt synon të nxisë bashkëpunimin akademik dhe kërkimor midis institucioneve evropiane, duke vendosur në qendër temat e Shëndetit Animal dhe Sigurisë Ushqimore. Pas gati një viti nga nisja e projektit dhe një periudhe intensive mobilitetesh akademike mes universiteteve partnere, aktiviteti në Tiranë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim të drejtpërdrejtë. 

Programi përfshiu sesione mësimore, takime të koordinimit shkencor dhe diskutime mbi metodologjitë inovative të mësimdhënies, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional. 

UBT po zhvillon aktivitete të përbashkëta akademike me Universitetin e Barit “Aldo Moro” në Itali. Në këtë kuadër, Prof. Dr. Fatmira Shehu dhe Dr. Kujtim Mersini zhvilluan më herët një vizitë bashkëpunimi dhe mësimdhënieje në Departamentin e Mjekësisë Veterinare në UNIBA, ku u angazhuan në seminare për studentët e doktoraturës në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik. Gjatë kësaj periudhe, studentja e doktoraturës Elisa Bisha realizoi një mobilitet dy-mujor në laboratorin e Biologjisë Molekulare, ndërsa studentja e vitit të pestë Livia Bega zhvilloi praktikën profesionale.