Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në panairin ndërkombëtar të bujqësisë “Agriculture Days 2026”, i zhvilluar në Lushnje, duke u prezantuar si një nga institucionet kryesore të dijes dhe inovacionit në sektorin agroushqimor në Shqipëri.
Në stendën e tij, universiteti prezantoi programet e reja bachelor, tërësisht të rishikuara dhe të harmonizuara sipas standardeve evropiane nën supervizimin e Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë (BOKU). Këto programe pasqyrojnë transformimin e universitetit në kuadër të reformës UBT–BOKU 2030 dhe orientimin drejt një arsimi modern në fushën e “Life Sciences”.
Panairi u zhvillua në praninë e figurave të rëndësishme institucionale, mes tyre Ministri i Bujqësisë Andi Salla dhe Kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa.
Nga UBT, në panelet e diskutimit kontribuuan Prof. Dr. Endrit Kullaj dhe Prof.Dr. Valbona Hobdari nga Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, të cilët ndanë perspektiva mbi zhvillimin e bujqësisë dhe rolin e kërkimit shkencor.
Një nga elementët që tërhoqi veçanërisht vëmendjen e vizitorëve ishte pajisja për analizën e tokës, e prezantuar nga UBT, e cila dëshmon përqasjen praktike dhe inovative që universiteti ofron për sektorin bujqësor.
Panairi mblodhi një gamë të gjerë biznesesh nga e gjithë Shqipëria, të cilat prezantuan produkte të ndryshme, duke filluar nga bulmeti, produktet e mishit, reçelrat artizanalë e deri te prodhime të tjera tradicionale dhe të përpunuara.
Pjesë e këtij eventi ishin edhe studentë të UBT-së, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me zhvillimet më të fundit në sektor dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me aktorët e tregut.
Një moment i veçantë për universitetin ishte edhe prania e alumnëve të tij, të cilët sot janë të integruar në tregun e punës, të punësuar në biznese apo duke drejtuar iniciativat e tyre. Ky fakt dëshmon ndikimin konkret të UBT në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në fuqizimin e sektorit bujqësor në vend.












