Universiteti Bujqësor i Tiranës finalizon me sukses një tjetër projekt në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, këtë herë me koordinator të projektit Prof. Asoc. Gentjan Mehmeti.
Projekti, me temë “Sfidat për një sektor ushqimor të qëndrueshëm me fokus humbjet dhe mbetjet e ushqimit”, kishte për qëllim të analizonte dimensionet ekonomike, mjedisore dhe sociale të humbjeve dhe mbetjeve të ushqimit përgjatë zinxhirit të furnizimit në sektorin ushqimor.
Ky projekt ka një rëndësi të veçantë në kontekstin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke adresuar sfida që prekin drejtpërdrejt ekonominë, mjedisin dhe shoqërinë.
Në këtë kuadër, UBT forcon rolin e tij jo vetëm si institucion kërkimor, por edhe si qendër e ekspertizës shkencore dhe e bashkëpunimit ndërdisiplinor duke kontribuar në analizën e të dhënave, propozimin e zgjidhjeve praktike dhe ngritjen e ndërgjegjësimit për reduktimin e mbetjeve ushqimore në vend.