Në UBT u zhvillua këtë të enjte, Misioni i 21-të BOKU-UBT me pjesëmarrëjen e ekspertëve të Universitetit të Shkencave të Jetës në Vjenë. Këtë herë në takime u diskutua nga afër zbatimi praktik i programeve të reja Bachelor, Master, të hartuara në kuadër të reformës UBT2030.
Takimi nisi me mbledhjen e Komitetit Drejtues ku morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektorja e BOKU University, Prof. Dr Eva Schulev-Steindl, drejtues akademikë të universitetit, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përfaqësues të ADA-s, si dhe ekipi i BOKU i udhëhequr nga Prof. Dr. Hubert Hasenauer.
Një takim po ashtu shumë i rëndësisëhm u mbajt edhe për finalizimin e programeve të doktoraturës, me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Erinda Lika- Zv/Rektore për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Hubert Hasenauer dhe Matthias Schreiner, BOKU.
Në vijim një sesion i zgjeruar pune për mbështetjen e zbatimit të programeve të reja, ku morën pjesë koordinatorët e të gjitha programeve Bachelor dhe Master të ristrukturuara. Diskutimet u përqendruan në organizimin e zbatimit të programeve, rolin e koordinatorëve, afatet kohore dhe mbështetjen e nevojshme për të garantuar një nisje sa më të suksesshme të vitit të ri akademik.
Sesioni u hap nga Prof. Dr. Hubert Hasenauer, Prof. Dr. Ilir Kapaj- Zv/Rektor për Mësimin dhe Prof. Assoc. Romina Koto- Zv/Rektore për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, të cilët theksuan rëndësinë e kalimit nga faza e hartimit të programeve drejt zbatimit konkret të tyre në auditor, përmes një filozofie moderne të mësimdhënies dhe menaxhimit akademik.
Në këtë fazë të reformës, fokusi nuk është më vetëm te hartimi i programeve në letër, por te mënyra se si ato do të marrin jetë në auditor, laborator dhe në përvojën reale të studentëve. Pikërisht për këtë arsye, takime të tilla pune mes UBT dhe BOKU po marrin një rëndësi të veçantë, pasi po shërbejnë si ura lidhëse mes vizionit strategjik dhe zbatimit konkret të tij në praktikë.
Përmes këtij bashkëpunimi të vazhdueshëm, UBT po ndërton gradualisht një model të ri funksionimi akademik, ku programet e studimit, mënyra e mësimdhënies dhe organizimi universitar synojnë të jenë më të thjeshta, më funksionale dhe më pranë nevojave reale të studentëve dhe tregut të punës.














