Bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë (BOKU) është prezantuar si një model i suksesshëm transformimi institucional në botimin ndërkombëtar “Trigon Themen 01/26”. Sipas këtij botimi, projekti UBT–BOKU 2030 përfaqëson një qasje të avancuar të zhvillimit organizativ dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar. 
Botimi “Trigon Themen” është një publikim periodik profesional i organizatës Trigon Entwicklungsberatung, i fokusuar në zhvillimin e organizatave, lidershipin dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale, duke sjellë raste konkrete nga biznesi, sektori publik dhe universitetet në Evropë. 
Sipas botimit, projekti UBT–BOKU 2030 synon ta pozicionojë Universitetin Bujqësor të Tiranës si një universitet modern të shkencave të jetës deri në vitin 2030, përmes një transformimi të thellë që përfshin qeverisjen, mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. 
Ky bashkëpunim zhvillohet në dy faza kryesore: fillimisht përmes riorganizimit të brendshëm të UBT-së, me mbështetjen e ekspertizës së BOKU, dhe më pas në një fazë partneriteti të plotë, ku të dy institucionet bashkëpunojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe programe doktorale. 
Një tjetër rezultat i rëndësishëm i këtij procesi është krijimi i vizionit të përbashkët të zhvillimit, i njohur si “AUT-Sun”, i cili lidh vizionin, misionin dhe kompetencat dhe shërben si pikë referimi për drejtimin strategjik dhe komunikimin e brendshëm të universitetit.
Të dy drejtuesit e projektit theksojnë rëndësinë e besimit dhe qasjes. Prof.Dr. Hubert Hasenauer shprehet: “Besimi te BOKU dhe te vetja jonë është faktori më i rëndësishëm për suksesin. Vendimtare ishte që morëm kohë për të kuptuar njëri-tjetrin – dhe që njerëzit e zgjuar bëjnë pyetje pa gjykuar.”
Rektori i UBT Prof.Dr. Fatbardh Sallaku, thekson ndershmërinë dhe transparencën:
“Ne vendosëm me vetëdije të komunikojmë hapur dhe me përgjegjësi.” Ai shton se ngjashmëritë në orientimin akademik e kanë lehtësuar mirëkuptimin reciprok.
Në përfundim, “Trigon Themen 01/26” e paraqet projektin UBT–BOKU 2030 si një shembull konkret se si bashkëpunimi ndërkombëtar, i ndërtuar mbi besimin, një arkitekturë të qartë zhvillimi dhe një kulturë të përbashkët mësimi, mund të shndërrohet në një instrument të fuqishëm transformimi për institucionet e arsimit të lartë.
Link i publikimit origjinal: https://www.trigon.at/wp-content/uploads/2026/04/TT-2026_01-Die-Kraft-unternehmensuebergreifender-Kooperation.pdf